Policia sqaron rrethanat e vdekjes së 26-vjeçares në Prizren
Foto: Laura Hasani

Policia sqaron rrethanat e vdekjes së 26-vjeçares në Prizren

Kronika November 16, 2026 - 12:35

Një vajzë 26-vjeçare ka vdekur tragjikisht në Prizren, pasi dyshohet se ka gëlltitur një qese me narkotikë.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë versionin e kësaj ngjarjeje, raporton Zeri.info.

Sipas PK-së, fillimisht rreth orës 18:00 kishin ndaluar një veturë në Vërmicë, ku ndodheshin dy persona të dyshuar për trafikim me narkotikë.

“Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9x19 mm, dhe dy telefona celularë. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë, ku me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave”, thekson Policia.

Më tutje, thuhet se pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit mashkull kosovar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren.

“Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth

orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, IPK-ja si dhe prokurori kujdestar.

Të gjitha njësitë kompetente policore, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit.

Pas përfundimit të procedurave fillestare hetimore dhe sigurimit të dokumentacionit përkatës mjekësor, me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë. /Zëri