Spitali i Gjakovës jep detaje për incidentin me armë zjarri: Një person i plagosur në këmbë, dy gra lirohen pas kontrollit mjekësor
Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar për gjendjen shëndetësore të tre personave që kërkuan ndihmë mjekësore pas plaçkitjes së ndodhur në Çarshinë e Madhe të Gjakovës.
Sipas njoftimit të spitalit, një person i gjinisë mashkullore ka pësuar lëndim nga arma e zjarrit në gishtin e madh të këmbës së djathtë.
Pas ekzaminimeve radiologjike, te ai është evidentuar prania e një trupi të huaj në këmbën e djathtë. I njëjti është pranuar për trajtim spitalor dhe, sipas spitalit, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkaq, dy femrat e tjera që janë dërguar në Emergjencë nuk kanë pasur lëndime traumatike. Ato kanë qenë të shqetësuara nga ngjarja dhe, pas trajtimit të nevojshëm, janë liruar nga spitali.
“Pacienti i gjinisë mashkullore ka pësuar lëndim me armë zjarri në gishtin e parë të këmbës së djathtë […] Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda”.
Spitali ka bërë të ditur se rasti lidhet me plaçkitjen në Çarshinë e Madhe, ndërsa për detajet e tjera të ngjarjes ka udhëzuar publikun t’u referohet njoftimeve të organeve kompetente.