Operacioni “Heshtja”, arrestohet edhe një person e sekuestrohen tri vetura
Foto: Laura Hasani

Operacioni “Heshtja”, arrestohet edhe një person e sekuestrohen tri vetura

Kronika November 18, 2026 - 10:25

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi tjetër në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e narkotikëve në Prishtinë, për të cilin më herët ishin arrestuar edhe ish-ministri Astrit Haraqija dhe disa persona të tjerë.

Sipas Policisë, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin e datës 14 nëntor 2026, më 17 nëntor është arrestuar edhe një i dyshuar, shtetas i Kosovës.

Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar edhe tri vetura.

“I dyshuari, pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Kujtojmë se më 14 nëntor Policia e Kosovës kishte realizuar operacionin e koduar “Heshtja” në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për veprat penale që lidhen me narkotikët.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, si dhe ndaj Jeton Stanovcit, Gëzim Fekës, Arjanit Beqirit, Albana Xhemajli-Ramadanit dhe Alban Malokut.

Sipas aktvendimit, për pesë të pandehurit e tjerë masa e paraburgimit llogaritet nga 14 nëntori deri më 14 dhjetor 2026, ndërsa për Astrit Haraqijën nga 15 nëntori deri më 15 dhjetor 2026.

Me arrestimin e fundit, hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë, ndërsa Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e personit të arrestuar më 17 nëntor.