Agim Bahtiri arrin në Gjykatë, pritet të dëshmojë në gjykimin ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Faruk Mujka - kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen hidro-ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj - ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, akuzohen për korrupsion, sot pritet të dëshmojë ish-kryetari i Mitrovicës, njëherësh deputeti Agim Bahtiri.
Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Bahtiri ka arritur në seancë, ku do të japë dëshminë lidhur me rastin ku akuzohen Mujka dhe Muzliukaj.
Dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm edhe në seancën fillestare më 20 tetor 2025.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 9 shtator 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.