Arrestohen tre persona për së paku tetë vjedhje të rënda në Fushë-Kosovë, dëmi mbi 60 mijë euro
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të vjedhjeve të rënda në banesa në Fushë-Kosovë, gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet janë realizuar pas një hetimi dymujor nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë. Operacioni, i zhvilluar më 18 nëntor, ka rezultuar me arrestimin e tre shtetasve kosovarë, me inicialet A.B., F.H. dhe M.K, transmeton Zeri.info.
Të dyshuarit thuhet se kanë kryer vjedhje në disa banesa, ndërsa dëmi i përgjithshëm material, sipas vlerësimeve fillestare të Policisë, tejkalon 60 mijë euro.
Në mesin e gjësendeve të vjedhura raportohet të ketë pasur para të gatshme, stoli ari dhe sende të tjera me vlerë, duke përfshirë edhe armën zyrtare të një zyrtari policor.
Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona mobilë dhe një sasi të substancës së dyshuar si marihuanë.
Hetimet e mëtejme e kanë çuar Policinë edhe te një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndërkaq, në Prizren është lokalizuar dhe sekuestruar edhe një sasi tjetër ari.
Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Shtetit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri