Kostumi i mrekullueshëm lunxhiot me 17 elemente, traditë dhe identitet përcjell ndër shekuj

Kostumi i mrekullueshëm lunxhiot me 17 elemente, traditë dhe identitet përcjell ndër shekuj

Kultura April 25, 2026 - 10:04

Kostumi lunxhiot është një nga perlat e trashëgimisë kulturore shqiptare, me finesën, traditën dhe identitetin që përcjell ndër shekuj.

Arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare është i pasur me foto të kostumeve tradicionale nga më të ndryshmet, të cilat shfaqen veçanërisht në fotot që i takojnë Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Image
Image
Image

Prej arkivit përzgjodhëm disa fotografi ku shfaqet kostumi i krahinës së Lunxhërisë. Fotot i përkasin vitit 1973 dhe janë realizuar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ku bëhej një paradë e vërtetë jo vetëm zërash, tingujsh e instrumentesh, por edhe veshjesh të krahinave të ndryshme shqiptare, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ato janë kostume origjinale të punuara me dorë, të cilat në këto kohë janë gjithnjë e më të rralla.

Kostumet trashëgoheshin brez pas brezi, nga nënat te bijat, dhe ruheshin me fanatizëm prej tyre, duke qenë se kishin vlerë të pallogaritshme monetare e shpirtërore, për zotëruesit e tyre dhe kulturën shqiptare në tërësi.

Kostumi lunxhiot karakterizohet nga harmonia e ngjyrave me të cilat është endur, si dhe fijet e arta që stolisin këto veshje. Kostumi i nuses lunxhiote bëhej nga coha e leshtë, një lloj cohe e cila prodhohej edhe në fshatrat e krahinës, ndërkohë që coha e mirë vinte nga Stambolli.

Ky kostum është shumë i vjetër dhe në gërmimet e bëra në Antigone dhe në zonën e Gjirokastrës janë gjetur bocete femrash me elemente të kostumit lunxhiot, ndërsa Lord Bajroni ka folur i pari për kostumin lunxhiot, duke e cilësuar atë si kostumin më të bukur në botë.

Kostumi lunxhiot ka 17 elemente, ku secili prej tyre ka dukshmërinë e tij kur ai është i veshur, duke filluar nga coha, dollomaja, fustani, kalcat etj.