Baleti Kombëtar i Kosovës nis turneun ndërkombëtar në Amerikën Qendrore dhe Latine
Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur turneun e tij ndërkombëtar në Amerikën Qendrore dhe Latine, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në prezantimin e artit dhe kulturës sonë në skenën globale.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, turneu hapet në El Salvador, ku produksioni “Carmina Burana”, me koreografi nga Toni Candeloro, do të prezantohet në Teatro Nacional de El Salvador, në kuadër të gala mbrëmjeve të përbashkëta me Baletin Kombëtar të El Salvadorit. Shfaqjet do të mbahen më 8, 9 dhe 10 maj, duke shënuar fillimin e një bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve dhe trupave të baletit.
“Vijon në Kolumbi, me prezantime në disa nga hapësirat më të rëndësishme kulturore të vendit: më 13 maj në Teatro Pablo Tobón Uribe në Medellin, më 19 maj në Arena USC në Cali dhe më 21 maj në Teatro Jorge Eliécer Gaitán në Bogotá, duke përmbyllur këtë rrugëtim artistik”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të turneut është përgatitur edhe një material prezantues, që përfshin elemente nga produksioni, si dhe nga trashëgimia kulturore, arkitektura dhe peizazhet natyrore të Kosovës, me qëllim promovimin e vendit tonë dhe identitetit të tij në një kontekst ndërkombëtar.
“Ky turne përfaqëson një moment të rëndësishëm për Baletin Kombëtar të Kosovës, duke forcuar praninë e tij në skenën ndërkombëtare dhe duke zgjeruar bashkëpunimin kulturor me partnerë të rinj”.