“Qysh sheh AI”, ekspozitë nga Bardhyl Bejtullahu
Inteligjenca artificiale (AI), viteve të fundit, po bëhet temë kryesore e bisedave për ardhmërinë e njerëzimit, ku nuk mungojnë as parashikimet alarmante për fundin e njeriut, nga frika se AI do të ngadhënjejë në çdo fushë.
Artisti Bardhyl Bejtullahu vjen me një ekspozitë te „Hani i 2 Roberëve“, ku ballafaqon motivacionin, emocionin dhe kreativitetin burimor të artistit me fuqinë imagjinative të AI-së, kur asaj i jepet detyra e realizimit të temave të njëjta si origjinalet e autorit, duke i gjeneruar ato qysh shihen me sytë e një fëmije, të moshuari, arkitektit, psikiatrit etj. Rezultati i këtij sfidimi shpalos një diapazon interesant të imazheve simotra, ku ballafaqohemi me çështjen e autorësisë origjinale dhe asaj të gjeneruar. AI, në këtë eksperiment, bëhet mjet i realizimit të versioneve të së njëjtës vepër, ku ato që mund të gjenerohen pakufishëm, duke mos qenë thjesht kopje, mbajnë edhe vulën e autorësisë së Bejtullahut, si një tip autorësie të ekspanduar multiversale.
Piktura burimore e Bardhyl Bejtullahut shquhet me kompozicione të studiuara dhe të mirëbalancuara. Ato rrezatojnë optimizëm, sepse artisti shpesh i vendos brenda një bardhësie kumbuese që motiveve të pikturës u jep një aurë dritëruese, paçka fluiditetit dhe transparencës që ngjyrave të akrilik dhe pastelit u japin spontanitetin dhe delikatesën e akuarelit.
Një spikatje tjetër kompozicionale është zgjatja e formave strukturore, që peizazhet i paraqet të stilizuara, kështu që pemët dhe shtëpitë kanë zgjatime vertikale, ndërsa veprat abstrakte paraqesin raporte themelore dinamike të kryqëzimit subtil mes vektorit pamor vertikal dhe horizontal, apo mes qiellores dhe tokësores në gjenerimin dhe strukturimin e realitetit estetik të perceptueshëm. Drita dhe bardhësia mbizotërojnë në veprën e Bejtullahut jo si mbyllje e syve para të errëtës dhe toksikes në jetën bashkëkohore, por si kontrast i qëllimshëm ndaj të zezonave që arti i angazhuar i alarmon si rreziqe të mëdha të mbijetesës. Ne, njerëzit, kemi ende nevojë edhe për të parë bukurinë e oazave.
Megjithatë, intenca kryesore e ekspozitës mbetet trajtimi i sfidës së AI-së. Optimizmi perceptiv i tij e sprovon inteligjencën artificiale si një gjeni kreativ, duke na rikujtuar se AI-ja, si mjet i gjeneruar nga njeriu, të mos na tejkalojë në atë që ne e kemi më të rëndësishme — zemrën dhe shpirtin.
— Shkëlzen Maliqi
Siç shprehet edhe vetë artisti:
“Përmes kësaj ekspozite nuk kam kërkuar që inteligjenca artificiale të krijojë vepra të reja. Kam kërkuar të shoh se si e njëjta vepër mund të perceptohet ndryshe, kur kalon përmes vetëdijeve, gjendjeve dhe mënyrave të ndryshme njerëzore të të parit.
AI, në këtë rast, nuk është autor i veprës, por mjet transformimi perceptual.
Vepra mbetet e njëjtë.
Ndryshon vetëm mënyra si e shohim atë.”
— Bardhyl Bejtullahu
Kurator i ekspozitës është Shkëlzen Maliqi.
Hani i 2 Roberëve — Prishtinë
21 maj 2026
Ora 19:30