Nis sot Java e Albanologjisë
Instituti Albanologjik nga 18 deri më 22 maj do të organizojë edicionin e shtatëmbëdhjetë të konferencës shkencore Java e Albanologjisë, një nga aktivitetet më të rëndësishme akademike në fushën e studimeve albanologjike në Kosovë dhe rajon.
Konferenca do të mbahet në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë dhe do të mbledhë studiues, profesorë universitarë, hulumtues dhe ekspertë nga fusha të ndryshme të albanologjisë, të cilët gjatë pesë ditëve do të trajtojnë tema që lidhen me gjuhën shqipe, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare.
Hapja zyrtare e konferencës do të bëhet më 18 maj në orën 10:00, ndërsa menjëherë pas ceremonisë do të nisë sesioni i parë kushtuar Gjuhësisë me temën bosht “Shqipja në rrethanat e sotme digjitale”.
Në këtë sesion do të trajtohen çështje që lidhen me ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e gjuhës shqipe, sfidat e terminologjisë digjitale, komunikimi online, fjalorët elektronikë dhe ruajtja e standardit të shqipes në mediat dhe rrjetet sociale.
Studiues të njohur do të prezantojnë punime për përpunimin automatik të shqipes, përdorimin e inteligjencës artificiale, digjitalizimin e të folmeve arbëreshe dhe ndikimin e komunikimit virtual në normën gjuhësore.
Më 19 maj do të zhvillohet sesioni i Letërsisë me temën “Letërsia shqipe dhe konteksti”. Diskutimet do të fokusohen në raportin ndërmjet veprës letrare dhe rrethanave historike, politike e kulturore në të cilat është krijuar ajo. Punimet do të trajtojnë autorë dhe periudha të ndryshme të letërsisë shqipe, duke përfshirë studime për Ismail Kadarenë, Petro Markon, Migjenin, Ali Podrimjen dhe letërsinë shqipe në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
Sesioni i Historisë, i planifikuar për 20 maj, do të ketë temën “Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane”. Studiuesit do të trajtojnë mënyrën se si historia shqiptare është interpretuar nga autorë dhe historiografi të ndryshme evropiane, si dhe ndikimet e diskurseve ndërkombëtare në ndërtimin e identitetit historik shqiptar. Në fokus do të jenë edhe çështje që lidhen me nacionalizmin shqiptar, figurat historike, periudha mesjetare dhe trajtimi i Luftës së Dytë Botërore në historiografinë shqiptare dhe evropiane.
Më 21 maj mbahet sesioni i Folklorit dhe etnomuzikologjisë me temën “Trashëgimia kulturore si kujtesë: këngët, rrëfimet, fotografitë”. Në këtë pjesë të konferencës do të trajtohen format e trashëgimisë shpirtërore dhe roli i tyre në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar. Punimet do të fokusohen në këngët historike, folklorin muzikor, fotografitë etnografike, kujtesën kolektive dhe figurat historike në traditën gojore shqiptare.
Konferenca do të përmbyllet më 22 maj me sesionin e Etnologjisë, i cili do të trajtojë temën “Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”. Studiuesit do të diskutojnë për traditat ushqimore shqiptare, simbolikën e ushqimit në rituale familjare e shoqërore, gastronominë tradicionale dhe transformimet moderne të kulturës ushqimore në hapësirën shqiptare.
Organizatorët kanë bërë të ditur se Java e Albanologjisë synon të krijojë një hapësirë shkëmbimi akademik dhe promovimi të studimeve bashkëkohore albanologjike, duke sjellë në vëmendje sfidat dhe zhvillimet e reja në fushat e studimit të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.