Piktori italian Amadeo Modigliani vjen me ekspozitë në Tiranë

Piktori italian Amadeo Modigliani vjen me ekspozitë në Tiranë

Kultura May 19, 2026 - 13:34

Piktori dhe skulptori Amedeo Modigliani vjen në Tiranë përmes disa prej veprave më të rëndësishme të tij, që lartësuan artin e shekullit XX dhe vazhdojnë të ofrojnë pika reflektimi për studiuesit dhe dashamirët.

Koleksioni i artistit erdhi për publikun shqiptar nga Fondacioni Kalo Art dhe Arkivat Ligjore të Amedeo Modiglianit.

Përmes pikturave, vizatimeve, objekteve dhe mjeteve të punës nga jeta e tij, ekspozita e çelur në Galerinë Kalo ofron mundësinë për të njohur jo vetëm gjuhën e tij artistike, por edhe kontekstin historik dhe kulturor në të cilin është zhvilluar krijimtaria e tij.

Shpesh të karakterizuara nga trupat e tyre të zgjatur dhe sytë bosh, subjektet e tij janë në mënyrë dalluese ‘Modigliani’, secili duke treguar një histori të ndryshme rreth jetës dhe artit të tij.

“Nuk ra viktimë e asnjë rryme që qarkullonte në atë kohë, që ‘shumonte’ artistët. Është shumë i dallueshëm, më është dukur si një një vrimë e zezë në universin e artit  dhe kushdo që i afrohet Modiglianit, ashtu sikurse edhe Van Gogh, ka rrezik të bjerë brenda“, u shpreh piktori Gazment Leka.

“Modigliani është i njohur për figurën njerëzore, gruan me qafën e gjatë, nudot dhe sytë në formë grope si të pajetë“, tha themeluesi i Galerisë Kalo, Përparim Kalo

“Ai kishte këtë dashuri të shfrenuar për trupin femëror… në kuptimin e lirisë së shqisave, për të zbuluar këto forma, dhe mbi të gjitha karakterin, sepse ai ishte i apasionuar pas psikanalizës. Mesazhi i kësaj ekspozite shumë të vogël është i përqendruar tërësisht te bukuria e trupit të gruas“, tregoi kujdestari i arkivave të Modiglianit, Christian Parisot.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 30 maj.