Rikthehen “Akordet e Kosovës”, Florent Boshnjaku drejtor artistik

Rikthehen “Akordet e Kosovës”, Florent Boshnjaku drejtor artistik

Kultura June 02, 2026 - 14:03

“Akordet e Kosovës” rikthehen këtë vit nën organizimin e Radio Televizionit të Kosovës, duke sjellë dy festivale në një edicion të vetëm. Me propozim të drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, edhe në edicionin e katërt të RTK Fest, si dhe në edicionin e parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë, drejtor artistik do të jetë kompozitori Florent Boshnjaku.

Gërvalla ka vlerësuar angazhimin dhe kontributin e Boshnjakut në tri edicionet e deritanishme të festivalit, duke shprehur bindjen se edhe edicioni i katërt do të sjellë krijime të veçanta artistike për publikun.

Sipas Gërvallës, e veçanta e këtij edicioni është se nën ombrellën e Akordeve të Kosovës do të organizohen dy festivale: Festivali i Këngës për të rritur dhe Festivali i Këngës për Fëmijë, duke rikthyer kështu një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës vendore.

Tashmë kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri, përfshirë konsolidimin e ekipit profesional dhe diskutimet për çështjet organizative.

Grupi i punës i drejtuar nga Gërvalla ka bërë të ditur edhe datat e mbajtjes së “Akordeve të Kosovës”: 29, 30 dhe 31 tetor. Më 29 tetor do të mbahet nata garuese e Festivalit të Këngës, më 30 tetor finalja e edicionit të katërt të RTK Fest, ndërsa më 31 tetor do të zhvillohet edicioni i parë i Festivalit të Fëmijëve.