Filharmonia e Kosovës organizon dy ditë koncerte për nxënësit e shkollave fillore

Filharmonia e Kosovës organizon dy ditë koncerte për nxënësit e shkollave fillore

Kultura June 04, 2026 - 10:30

Filharmonia e Kosovës, sot nga ora 13:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, sjell programin edukativ për nxënësit e shkollave fillore.

Ky aktivitet me dy koncerte të dedikuara për publikun e ri, realizohet në kuadër të programit “Arti në shkolla”.

Kuinteti Frymor i Filharmonisë interpreton “Pjetri dhe Ujku” të Sergei Prokofiev, të aranzhuar nga David Sale. Në këtë koncert marrin pjesë: Zanë Abazi (flaut), Xhovana Marku (obo), Shkumbin Bajraktari (klarinetë), Meriton Ferizi (fagot) dhe Ilir Kodhima (korno).

Ndërsa nesër, më 5 qershor, në të njëjtën orë dhe vend, prezantohet koncerti “Dialog”, me vepra nga David Hartzell, James Curnow, Robert Clérisse, Leroy Ostransky dhe Thomas Simaku, ku interpretojnë Betim Krasniqi (trombon) dhe Misbah Kaçamaku (piano).

Të dy koncertet janë të dedikuara për nxënësit e shkollave fillore, duke i afruar ata me instrumentet dhe muzikën.