Karnavalet shndërrojnë Korçën në skenë të hapur spektakli

Karnavalet shndërrojnë Korçën në skenë të hapur spektakli

Kultura June 07, 2026 - 19:33

Korça u shndërrua mbrëmjen e djeshme në kryeqytetin e ngjyrave, fantazisë dhe gëzimit kolektiv, duke hapur zyrtarisht sezonin turistik veror 2026 përmes edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, ndërsa festimet vijojnë dhe sot për banorët vendas dhe qindra vizitorë që këtë fundjavë kanë menduar ta kalojnë në qytetin e serenatave. 

Rrugët e qytetit të serenatave u pushtuan nga një atmosferë magjike që zgjati nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, duke mbledhur mijëra qytetarë dhe turistë vendas e të huaj. 

Magjia e festës nisi me paradën e paradites ndërsa gjallëria e një qyteti që mbushet nga turistët u shtua me shumë aktivitete.

Grupet e para artistike performuan përgjatë zonës këmbësore dhe Bulevardit “Republika”.

Ritmet e para të muzikës dhe maskat e guximshme tërhoqën menjëherë vëmendjen e vizitorëve, të cilët mbushën kafenetë dhe rrugët kryesore për të shijuar paradën e parë prezantuese.

Pasditja i la hapësirë gjeneratës së re

Nga ora 17:00 deri në 20:00 kur mjediset e qytetit u kthyen në një oaz argëtimi. Skena e dedikuar për fëmijët u shoqërua me muzikë, lojëra interaktive dhe procesin e shumëpritur të face painting, ku qindra vogëlushë u maskuan me personazhet e tyre të preferuar.

Parada e Madhe e Karnavaleve ktheu qytetin në skenë të spektaklit të natës

Parada e Madhe e Karnavaleve mblodhi mijëra shikues që rrethuan itinerarin nga Lëndina e Lotëve drejt bulevardit kryesor. Në këtë edicion, përveç trupave vendase, performuan grupe ndërkombëtare të ardhur nga vendet fqinje ku të ftuar nderi ishin arbëreshët të cilët sollën veshjet dhe traditat e tyre unike.

Kostumet kreative, alegoria, satira dhe koreografitë e koordinuara në mënyrë perfekte e kthyen qytetin në një skenë të hapur spektakli.

Festimet u zhvendosën pas orës 20:30 në Pazarin e Vjetër të Korçës. Mes dritave të pazarit karakteristik, muzika live dhe energjia e grupeve performuese e mbajtën atmosferën ndezur deri në mesnatë, duke shënuar një nisje të shkëlqyer për kalendarin e pasur kulturor të verës korçare.