Në Bernë shënohet 95-vjetori i lindjes së Dritëro Agollit
Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën Kornhausbibliothek një mbrëmje të veçantë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar Dritëro Agolli.
Në aktivitet morën pjesë nxënës shqiptarë, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër, të cilët u njohën me jetën dhe krijimtarinë e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.
Ambasadori Ermal Dredha e cilësoi Agollin si një krijues që e shndërroi përvojën e njeriut të zakonshëm në art të madh, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale falë trajtimit të vlerave universale si dinjiteti njerëzor, dashuria, vendlindja dhe raporti i njeriut me kohën.
Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga Mimoza Nazarko dhe vetë nxënësit, si dhe me materiale filmike të rralla nga jeta e shkrimtarit dhe incizime me zërin autentik të Dritëro Agollit.
Ambasada falënderoi Brikela Andera, bibliotekën Kornhausbibliothek dhe Muzeu Kadare–Agolli për kontributin në realizimin e aktivitetit, duke mundësuar ekspozimin e dorëshkrimeve, skicave dhe materialeve krijuese të autorit.
Pas Bernës, aktivitetet e Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vazhdojnë në Gjenevë, ku gjatë vjeshtës do të organizohet një veprimtari kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare. /kultplus.
