Ag Apolloni: Fjalim për njeriun e fjalës
Në Akademinë përkujtimore të organizuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja, personalitete të jetës akademike, kulturore dhe institucionale vlerësuan jetën, veprën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë, albanologjinë dhe mendimin shqiptar.
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni, mbajti një ligjëratë kushtuar figurës dhe trashëgimisë së Rexhep Qosjes, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të Ag Apollonit, të mbajtur në këtë akademi përkujtimore:
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot këtu për ta nderuar shkrimtarin Rexhep Qosja, këtë figurë unike të kombit shqiptar. Kritikët e huaj e kanë quajtur Volteri i Ballkanit dhe Kafka i Lindjes. Disa kritikë shqiptarë e kanë konsideruar si kritikun më të madh shqiptar, Robert Elsie e konsideronte si njërin ndër kritikët më të mëdhenj të Ballkanit, Ismail Kadare e çmonte si shkrimtarin më të madh shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë shtetërore, Ibrahim Rugova thoshte se Rexhep Qosja ka zgjidhur probleme vitale për letërsinë shqipe, Sabri Hamiti mendonte se Rexhep Qosja e ka shpëtuar letërsinë e Kosovës duke e përmbysur realizmin socialist që vinte nga Shqipëria, ndërsa Ali Aliu, që çuditej se si ka mundësi që edhe librat kritikë të Qosjes lexoheshin më shumë se romanet e autorëve të tjerë, thoshte për romanin e parë të Qosjes se ai është një fenomen i ri dhe unik, dhe shtonte se ai roman bën trajtimin më të thellë dhe më kompleks deri më sot në prozën tonë. Dhe, siç e dini, s’mund të thuhet se të gjithë këta ishin miq të tij, por mund të thuhet se përballë vlerave të tij, në momente të caktuara, ata i tejkaluan mospajtimet.
Pas gjithë këtyre vlerësimeve, unë s’di çfarë të shtoj, edhe pse mendoj se e kam njohur më mirë se të gjithë këta së bashku. Ajo çka më pengon psikologjikisht është se më vijnë ndërmend dy fjalime të famshme: ai i Dostojevskit për Pushkinin dhe ai i Victor Hugo-it për Volterin. Më kujtohet që një ditë pothuajse gjithë ditën kemi folur për këtë fjalimin e fundit, meqë ai i adhuronte të Hugo-in dhe Volterin, dhe krejt letërsinë frënge. Teksa e dëgjoje duke folur me aq pasion për atë fjalim, s’kishe si të mos mendoje se sa bukur do të ishte të vdisje ti i pari, se kështu ai do ta qante fjalimin për ty. Por, Rexhep Qosja zgjodhi të ikte tinëz, duke ma lënë mua këtë përgjegjësi. Dhe unë tash, në mungesë të oratorisë së tij, duhet ta nis fjalimin me kërkim falje për intonacionin, pengesat, gjestet e ku di unë. Gjithsesi, faji nuk është imi, por i atij që iku duke ma lënë ‘kile’ këtë fjalim.
Dhe sot këtu do të flas për të si person dhe jo për veprën e tij. Prandaj nuk do të ndalem te romanet me të cilat solli një poetikë të re në letërsinë shqipe; te dramat me të cilat u kthye në një Kamy të teatrit tonë; as te studimi më i mirë deri tash për romantizmin shqiptar; madje as te veprat publicistike dhe polemike, meqë jemi aq të familjarizuar me to. Nuk e ndiej të nevojshme të theksoj që ai lexonte, punonte e shkruante më shumë se krejt departamenti i letërsisë shqipe, më shumë se krejt Instituti Albanologjik dhe më shumë se krejt Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, për të mos thënë më shumë se të gjitha këto së bashku.
Edhe pse këtu e do rendi që unë ta lavdëroj, do t’i përmbahem këshillës së tij të para njëzet vjetësh, kur pata shkruar një tekst të gjatë për romanin Nata është dita jonë. Këshilla e tij ishte: ti shkruan mirë, por mos shkruaj mirë për mua, se kështu do t’ia mbyllësh dyert vetes. Nëpër vite e kam kuptuar peshën e kësaj këshille, por meqë një personazh imi thotë “dyert e fatit edhe mund të hapen, por për çdo rast, merre sakicën me vete”, unë s’kam dalë asnjëherë pa sakicë, tehu i së cilës mund të vizëllojë edhe gjatë këtij fjalimi.
E di që je më rehat nëse nuk flet për Rexhep Qosjen, ashtu siç e di se është shumë e leverdishme të flasësh kundër tij.
Disa kolegë që i takova këto ditë pas kthimit nga “gurbeti”, e kishin parë njoftimin për këtë takim dhe më thanë se duhet pranuar që Rexhep Qosja nuk ishte i lehtë. Por unë e di këtë. Ai gjithë jetën ka shkruar kundër njerëzve të lehtë që ua rëndonin jetën njerëzve të ndershëm. Rexhep Qosja ishte i rëndë dhe i rëndësishëm. Dikur një fjalim i tij, një artikull i tij, një intervistë e tij, një vepër e tij, apo një film i bazuar në romanin e tij, e dridhte Jugosllavinë. Një njeri i lehtë s’mund ta bënte këtë.
Edhe para se ta njihja nga librat, e dija që ky njeri ishte i rëndësishëm. Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, në kohën e lajmeve, apo në kohën e emisioneve serioze, bëhej rrëmujë e madhe në lagje. Burrat bërtisnin teksa përpiqeshin t’i rregullonin antenat e televizorëve mbi kulme. Ne, për fat të mirë, kishim një antenë dhome, por, për fat të keq, një televizor që nuk kthjellej pa ia dhënë nja dy shuplaka. Si fëmijë, natyrisht, më interesonin vetëm filmat e vizatuar, ndonjë këngë e huaj dhe, tek-tuk, ndonjë film. Atëherë, derisa të rriturit shanin e mallkonin antenat dhe derisa grushtonin televizorët, e kuptoja që diçka serioze pritej. Atëherë e kam parë për herë të parë Profesorin duke folur për “situatën aktuale” dhe, nga vëmendja me të cilën e dëgjonin të rriturit, e kuptoja që ai njeri ishte i rëndësishëm. Dhe, kështu, pasi fliste ai, disa nga të rriturit dukeshin më të trimëruar, kurse disa dilnin në sokak ndiznin cigaret dhe dukeshin shumë të shqetësuar. Më vonë, vërshuan protestat në të gjitha qytetet, u shtuan krismat dhe vrasjet, dikush ishte kundër luftës, dikush pro saj, disa flisnin për ndaljen e luftës e disa as ndërmend s’e kishin ta ndalnin, ndërsa ne fëmijët dilnim në kodër dhe vinim bast se ku do të binte granata e radhës. Mandej të gjithë i drejtuam sytë kah një kështjellë mesjetare në Francë. Se çfarë ndodhi aty brenda na tregon “Paqja e përgjakshme” e Rexhep Qosjes.
Po kush ishte ky njeri që s’pranoi asnjëherë të jetë i lehtë. Fundja, i lehtë duhet të jetë balerini, jo intelektuali. Rexhep Qosja ishte një djalë që erdhi nga një fshat shqiptar i Malit të Zi për t’u arsimuar në Prishtinë. Pastaj, meqenëse këtu s’kishte studime të thelluara, shkoi në Universitetin e Beogradit, ku i ndoqi ligjëratat dhe i kreu provimet. Universiteti i Prishtinës u themelua, në letër, në nëntor 1969, sepse në nëntorin e famshëm duhej të ishin datat më të rëndësishme, për shkak se në atë muaj festohej edhe Dita e Republikës në Jugosllavinë socialiste. Mirëpo, realisht, ky universitet filloi punën më 15 shkurt 1970.
Meqenëse i kishte mbetur vetëm mbrojtja, që pothuajse gjithkund është formale e ceremoniale, Qosja vendosi ta mbronte tezën e doktoratës në Prishtinë. Por, te kush? S’kishte profesorë letërsie, e mos të flasim për doktor letërsie. Me tezën e doktoratës nëpër duar ai kërkonte komision, derisa UP-ja e kuptoi që doktorata e tij ishte më e nevojshme për universitetin sesa për vetë kandidatin. Kështu, u krijua një komision me profesorë nga fusha e gjuhës, historisë dhe psikologjisë, me një pjesë të komisionit edhe nga Shqipëria, dhe më 20 mars 1971, u mbrojt doktorata e parë e shkencave filologjike në UP. Pa dyshim, kjo është ngjarje e madhe në historinë e Kosovës. Doktorata e tij bashkoi për herë të parë Kosovën dhe Shqipërinë, dhe ky doktor i ri deri në fund të jetës do të punojë për t’i bashkuar këto dy shtete të një kombi. Ajo doktoratë është Bashkimi Kombëtar, në nivel akademik.
Si doktor i parë i shkencave filologjike në Kosovë, Rexhep Qosja kontribuoi në konsolidimin e Fakultetit të Filologjisë dhe në pavarësimin e Departamentit të Letërsisë Shqipe nga Departamenti i Gjuhës Shqipe. Edhe pse ishte doktori i parë, edhe pse ishte autori i librit të parë kritik në Kosovë, edhe pse e reformoi fakultetin dhe e themeloi dhe drejtoi departamentin, edhe pse ishte ligjëruesi më i njohur jo vetëm i departamentit, por i krejt universitetit, vitet e fundit si profesor përjetoi një persekutim të vërtetë, që vazhdoi e kulmoi një vit më pas në Institutin Albanologjik. Një asistent, të cilin Partia e bëri shpejt profesor, magjistër dhe doktor brenda një kohe shumë të shkurtër, duke mos përfillur as rregulloren, as statutin, kërcente në tra e në tokë, për t’ia marrë lëndën e Estetikës. I njëjti i turrej profesorit nëpër korridor për ta sulmuar fizikisht. Dukej që e kishte shumë personale me të. Nuk po flas me të dëgjuar, kam qenë dëshmitar okular dhe jo i vetëm. Për këto sulme, Partia e shpërbleu shumë shpejt me poste politike: deputet, ministër kulture dhe zëvendëskryeministër, dhe gjatë kohës sa ushtronte këto postet e fundit, e bëri edhe akademik. Dhe ai s’është i vetmi që është bërë akademik ashtu.
Sidoqoftë, Qosja e la fakultetin dhe shkoi në Institutin e tij, të cilin e kishte marrë si kazermë dhe e kishte kthyer në objekt normal për shkencë.
Ju e dini se Instituti Albanologjik i Prishtinës u themelua më 1953 dhe u mbyll më 1955, për t’u rithemeluar më 1967, kur edhe u hap një konkurs ku aplikoi Rexhep Qosja, i cili si student i dalluar dhe si emër i njohur tashmë me publikime në shtypin e kohës, u pranua. Më vonë, aty u zgjodh drejtor, dhe punoi si punonjës shkencor deri në moshën 70-vjeçare, kur ia thyen zyrën, e larguan, ia ndërruan bravën, ia hodhën dorëshkrimet dhe librat në thasë plehrash. Disa këtu mund të mendojnë se kjo ka ndodhur gjatë regjimit serb. Jo, kjo ka ndodhë në vitin 2007, kur ministri i Arsimit, Agim Veliu, solli një drejtor nga Shtimja për ta larguar Rexhep Qosjen. Pas presionit të madh mediatik në Kosovë dhe Shqipëri, këtë drejtor që e largoi Rexhep Qosjen dhe që vinte nga fusha e sociologjisë për ta drejtuar Institutin e Albanologjisë, e largoi kryeministri Agim Çeku, i cili e ktheu Qosjen në zyrë, ku punoi deri në fund të jetës. Para pak javësh e pashë lajmin që kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hajrullah Çeku, e kishin vizituar Institutin dhe kishin premtuar muzealizimin e zyrës së profesor Qosjes. Uroj të mos jetë vetëm deklaratë, se këtu shpesh thuhen e nënshkruhen fjalë që pastaj harrohen. Nga ajo zyrë kanë dalë mijëra faqe që ia zbardhin fytyrën shteteve tona dhe kombit tonë. Nga ajo zyrë ka dalë edhe romani Vdekja më vjen prej syve të tillë që për 51 vjet, pra deri vitin e kaluar ka qenë romani më i përkthyer nga Kosova.
Prova e parë për ta shpërblyer Rexhep Qosjen është bërë në vitin 2010, kur ministri i Arsimit, Ramë Buja, ndau një buxhet për botimin e kompletit të veprave të tij, një botim që u përfshi në 29 vëllime. Është diskutuar shumë honorari që është ndarë për autorin, prandaj dua ta përmend këtu, sepse është koha ta sqarojmë. Në vitin 2019, një OJQ e quajtur Admovere ka bërë një hulumtim kinse për Institutin, por me fokus te Rexhep Qosja. Ju mund të thoni se ky hulumtim i kësaj OJQ-je është botuar nga Integra dhe është financuar nga KFOS (Kosovo Foundation for Open Society), dhe se të gjitha janë fort të lidhura me një OJQ tjetër, të quajtur KEC (Kosovo Education Center), që udhëhiqet nga djali i Syrja Pupovcit, i cili, siç e dini ka qenë njëfarë Danjolli i Sherkës, dhe është ndër personazhet më negative në ditarin prej 5435 faqesh të Rexhep Qosjes, por edhe pse keni të drejtë të thoni ashtu, unë s’do të doja t’i përmendja këto gjëra të gërditshme. E di që e keni parë se kjo Admovere, që ka shfrytëzuar si hulumtues një djalë të ri, e që ka si autor një analist e aktivist, konstaton dhe alarmon se Rexhep Qosjes i janë dhënë 120 mijë euro, dhe bën pyetjen: Pse ka qenë i rëndësishëm botimi i këtij kompleti? Zakonisht, i dituri nuk përgjigjet në pyetjen e idiotit, prandaj, meqenëse ju e kuptoni të gjithë rëndësinë e atij kompleti, unë s’do të marr mundin t’u përgjigjem OJQ-ve të tilla. Por po e sqaroj shifrën e honorarit, sepse ashtu siç e kanë nxjerrë ata, edhe ju do t’jeni shokuar. Një honorar me atë shifër duket i madh, por unë po ju them se po të ma jepnin mua, do t’i shaja rëndë dhe do t’i padisja menjëherë. Pse? Sepse kompleti ka gjithsej 13 000 faqe. Përkthyesi më i lirë paguhet 10 euro për faqe. 13 000 x 10 = 130 000. Kurse, Rexhep Qosja, që nuk i ka përkthyer ato faqe, por i ka krijuar e i ka shkruar prej hiçit, nuk është paguar as 10 euro për faqe. Shkrimtari më i mirë është paguar më pak se përkthyesi më i lirë.
Mos harroni: Rexhep Qosja ishte intelektuali më i madh i Kosovës, ndër studiuesit dhe shkrimtarët më të mëdhenj të krejt Evropës Juglindore, ishte doktori i parë i shkencave filologjike, profesor i Estetikës në Universitetin e Prishtinës, themelues, reformues, konsolidues i një departamenti të këtij universiteti, por krejt këto nuk mjaftuan që rektori aktual, i cili deri më 2024 ishte pjesë e OJQ-së Admovere, të mbante një komemoracion, ose të bënte një postim në rrjete sociale, apo të na shkruante së paku një telegram ngushëllimi për humbjen e kolegut, siç bëhet zakonisht, se mos të flasim më për vartësit e tij nga Filologjiku. Unë s’isha në Kosovë, por i shkrova nga Amerika për ta pyetur për arsyen e kësaj indiference. Shqetësimit tim për këtë indiferencë, ai iu përgjigj me indiferencë. Ai, siç thoshte Rexhep Qosja, mund të sulltanojë e të mos i plasë për askënd, sepse mendja ia thotë se meqë ka nderuar kryeministrin dhe presidenten në mënyrë ceremoniale me “alumni nderi” (honorary alumni), tashmë ka fituar imunitet dhe s’ka çka i bën kush. Le të jetojë i lumtur në turpin e vet, se ne që jemi profesorë s’na ka hije ta rrahim rektorin! S’ka lidhje pse ai nuk e ka nderuar, qoftë edhe për protokoll. Ai bëri rregullore kërcënuese, duke shfrytëzuar një Statut të punuar me inate, të cilin, mjerisht, në korrik të vitit 2024, e votoi Kuvendi (i cili për këtë një ditë do të turpërohet), dhe falë atij Statuti që e ndëshkon sidomos Departamentin e Letërsisë Shqipe, kemi studentë që presin prej vitesh për të doktoruar më temë mbi romanet dhe kritikën e Rexhep Qosjes, sepse edhe pse i kanë kryer nga 300 faqe, ia kërkojnë edhe nja tri faqe në një revistë çfarëdo në Scopus. Mos të harrojmë se para disa vitesh pikërisht ky klan pati thënë se Rexhep Qosja s’ka kurrfarë kontributi shkencor se nuk ka shkrime në Scopus.
Në librin “Pushteti i korruptuar”, të botuar me 2016, Rexhep Qosja flet edhe për këta “shpëtimtarë” të universitetit, që deri dje shkruanin parulla në mure “Bolonja në shpageta, jo në universitet”, kurse tash i kanë hëngër fjalët si “shpagetat” dhe e duan në universitet, ani pse as Bolonja nuk e thotë këtë që e kërkojnë këta hipokritë. Në atë libër, Qosja sugjeron të lexohet eseja e famshme “Vdekja e ngadalshme e universiteteve” e Terry Eagleton-it, i cili thotë se universiteti modern po vdes ngadalë si institucion kritik dhe po bëhet më shumë biznes sesa vend i dijes. Qosja alarmon që të ndalet kjo gjendje, se universiteti s’është pazar, por mjerisht këta në vendimmarrje i kanë veshët me dyll. Në Amerikë, në universitetet më të mira, nëse profesori ka libra studimorë, askush s’e pyet për artikuj, sepse artikuj shkruajnë ata që s’mund të bëjnë libra. Ndërsa këtu thonë se monografia me rreth 1500 faqe s’vlen, nëse autori s’ka botuar në Scopus, ku në një artikull kacavaren si majmunë katër-pesë profesorë. Rexhep Qosja nuk ka punime në Scopus vërtet, por aty kanë dy rektorët e fundit, nga të cilët ai i parafundit para pak kohësh botoi një artikull ku i jep mend Palestinës si të mbrohet nga Izraeli, duke e krahasuar këtë të fundit me Serbinë. Me këso skandalesh krenohemi ne, jo me veprën e Rexhep Qosjes, i cili si një djalë i ri nga një fshat shqiptar që tash i përket Malit të Zi, erdhi në Prishtinë me një çantë në shpinë dhe bëri historinë. Sot ndoshta keni dyshime, por kur Bashkimi Kombëtar të ndodhë, e ai do të ndodhë një ditë, jo në BE, por këtu, shqiptarët do ta kuptojnë se kush ishte babai i kombit. Tash për tash, kemi këtë shtet, por, ky shtet, për Qosjen, për mua, dhe për shumë të tjerë, është një projekt i pakryer. Do të kryhet qysh e ka shkruar Zoti dhe qysh e ka shkruar zoti Qosja.
Unë kam lindur më 13 qershor, fiks 104 vjet pas Konferencës së Berlinit, e cila ka bërë padrejtësinë më të madhe ndaj trojeve shqiptare duke mos i njohur si njësi politike më vete, rrjedhimisht duke ua dhënë Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë territoret shqiptare. Sot shqiptarët naivë nga Shqipëria na konsiderojnë neve ndryshe nga ta, ne gjithashtu themi çka lypin këta të Malit të Zi këtu, ndërsa shqiptarët e Serbisë dhe Bullgarisë së quajtur Maqedoni e Veriut, prej vitesh s’i konsiderojmë pjesë tonën.
Më falni që e personalizoj, po s’kam si e shpjegoj ndryshe mënyrën se si reflektohet Bashkimi Kombëtar tek unë, që jam studenti i fundit i strategut të Bashkimit Kombëtar: unë vij nga Kaçaniku (Kosovë), i njohur për betejën e famshme të udhëhequr nga Idriz Seferi që vinte nga fshati Sefer (tash në Serbi); jam rritur mes vendlindjes dhe Shkupit, që konsiderohej kryeqyteti i shqiptarëve, por që sot është në të ashtuquajturën Maqedoni e Veriut; partneret me të cilat kam kaluar jetën më së shumti i kam pasur nga Shqipëria; profesorin tek i cili kam diplomuar e kam pasë nga Mali i Zi. Pra, unë jam harta e copëtuar e Shqipërisë etnike. Dhe lutjen e Profesorit për tokat e ndara shqiptare dua ta përcjell edhe tek ju, me shpresë se dikush nga ne do ta arrijë realizimin e saj: [pra, këto troje të ndara], u bashkofshin e u bekofshin!
Këtë fjalim e quajta Fjalim për njeriun e fjalës, edhe pse mund ta quaja thjesht: për mjeshtrin e fjalës. Që Rexhep Qosja ishte mjeshtër i fjalës, kjo dihet. Që fjalët ishin arma e tij, edhe kjo dihet. Por ai ishte njeri i fjalës edhe për arsye të tjera: ai, kur e jepte fjalën, edhe e mbante, dhe, mbi të gjitha, ai e mbajti fjalën që ia dha vetes: për ta thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. E, njëri nga shkrimtarët që ai e çmonte fort, Danillo Kish, thoshte: kam zgjedhur të jem në luftë me të tjerët, sepse dua të jem në paqe me vetveten.
Qosja na trazoi të gjithëve, por me vetveten shkoi në paqe. Ai erdhi, e ndryshoi klimën kulturore në Kosovë, e ngriti kritikën letrare në një nivel me vendet fqinje, e reformoi Institutin dhe Fakultetin, dhe falë punës së tij të jashtëzakonshme, u bë figura më e njohur e Universitetit dhe Akademisë, e cila, duke mos mundur ta dëbojë, meqë ai nuk shkonte aty, për një çerek shekulli e ka kërcënuar me ndalje të rrogës.
Ai ishte akademiku që e refuzonte Akademinë, sepse e donte akademi profesioniste, jo politike dhe klienteliste. Ashtu siç e kritikonte universitetin ku bija mbronte doktoratën te babai, e kritikonte edhe projektin akademik për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, ku refuzoi të merrte pjesë, pasi i pa emrat e përpiluesve dhe kontribuesve. Koha i dha të drejtë Qosjes. Kur doli ai Fjalor, u cilësua si vepra më skandaloze në Kosovë deri para pak muajsh kur ia zuri vendin libri Masakrat në Kosovë, që i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 30 mijë euro.
Kundër Qosjes nuk punoi një individ, një grup i caktuar, ose një parti. Jo. Kundër tij punoi një makinë e madhe propagandistike e përbërë nga individë që i kanë shërbyer regjimit serb me devotshmëri fetare; ai u sulmua nga fëmijët e tyre që u pasuruan çuditshëm pas lufte dhe e morën nën kontroll arsimin në Kosovë, duke sulmuar universitetin publik për ta fuqizuar shkollën e vet private; ai u sulmua nga satelitë të këtyre bijve të etërve të ulët; ai u sulmua nga të gjitha anët dhe i mundi të gjithë.
Qosja u sulmua nga shumë gazeta, revista, portale, radio dhe televizone. Ai nuk u sulmua nga Rugova. Por, siç thoshte Adem Demaçi me atë gjuhën e tij popullore: Rugova nuk të sulmon, ama qentë e tij po. Do të doja që në LDK të kishte ende njerëz si Rugova dhe jo si qentë e tij.
Gjithsesi, unë vërtet, nga thellësia e zemrës, u shpreh ngushëllime të gjithëve që e sulmuan dhe vazhdojnë ta sulmojnë Qosjen, sepse vërtet më dhimbsen që një jetë u përpoqën ta eliminojnë me shpifje, sulme mediatike dhe fizike, dhe ai prapëseprapë shkoi kur deshi vetë. Ai jetoi 90 vjet dhe, sa për që ia keni lënë shenjë ju, sulmues servila, ai do t’i bënte 900 vjet. Jetoi qysh deshi e sa deshi, dhe u largua. Ai ishte mjeshtër i ironisë, dhe sot, si për ironi, më shumë vërehet mungesa e tij sesa prania juaj, të dashur uritha të universitetit, krimba të jetës politike e sociale, të dashur kurrkusha të kulturës.
Familjes së Rexhep Qosjes nuk kam pse t’i shprehë ngushëllime. Ata ishin me fat që jetonin pranë intelektualit më të madh të këtij vendi. Meqë për vlerën e tij kam folur në librin Parabola postmoderne, këtu mund të shtoj se në shoqërinë shqiptare, Konica dhe Qosja mbesin personalitetet më të serta, mirëpo përderisa Konica ishte i shkapërderdhur dhe “pa hudut”, Qosja ishte i sistemuar, dhe përderisa Konica sulmuesve të tij të fëlliqur ua kthente fort fëlliqtë, Qosja ishte më i përmbajtur, aq sa as në polemikat e tij më të ashpra, nuk shante. Kështu, Qosja e ka avancuar polemikën në planin etik.
Mos të harrojmë një gjë, që profesori pas lufte nuk i kishte punët mirë ekonomikisht, dhe pjesa më e dhimbshme e ditarit të tij mendoj se është ajo ku tregon se si më 5 korrik 2002, u detyrua të merrte pjesë në një aktivitet letrar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës vetëm për shkak të një honorari: “Duke qenë i parrogë, i parrogë unë dhe e parrogë gruaja ime, Shpresa, ja, duhet të pranoj edhe kësi përurimi për një honorar turpërues prej 250 eurosh”. Për dallim prej politikanëve dhe shërbyesve të tyre që e sulmonin nga vilat e tyre, Qosja jetoi deri në fund të jetës në një gjysmë shtëpie. Shteti forcohet dhe inkurajon të rinjtë për ta ndjekur rrugën e mundimshme të dijes, atëherë kur intelektualit i ofron kushte më të mira se injorantit. Ne s’arritëm të krijojmë shtet, përderisa Qosja as një shtëpi të plotë s’e pati. Një intelektual në mjerim domethënë një shtet i mjerë.
Duhet ta dimë që kohët kanë ndryshuar dhe ata që vijnë pas tij, nuk janë asketë si ai. (Tash që mundësitë për të lëvizur janë më të mëdha, shumica mendojnë: ubi bene, ibi patria). E, ai jetonte thjesht, hante thjesht, kurrë s’dilte në kafe (kur e kam çuar për herë të parë në “Amaro”, ishte i befasuar si ata njerëzit nëpër filma që kthehen në kohë), kurrë s’pinte alkool (për këtë s’jemi pajtuar asnjëherë, por i tillë ishte), me një fjalë: jetoi thjesht dhe u varros thjesht, si Luani i Letërsisë Ruse, Lev Tolstoj. Zatën, ai edhe në letërsi hyri si luan (prozat e para i botoi me pseudonimin Luan Dukagjini), prandaj s’kishin se çfarë t’i bënin qentë përreth. Kapitulli i parë i romanit të tij të parë quhet Legjenda. Me atë roman, ai u bë legjendë edhe vetë. Kjo legjendë la një legacy (trashëgimi), që duhet të institucionalizohet sa më shpejtë. Ai ishte institut më vete, tash ne duhet ta institucionalizojmë siç e meriton. Të kalojmë nga sulmet dhe mosnjohjet e meritave te mirënjohjet. Emri i tij mund t’i vihet një salle, një instituti, një biblioteke, një rruge. Meqë ishte doktori i parë, mund të jepet një bursë doktorale me emrin e tij; meqë ishte studiuesi më i madh, mund të jepet një medalje akademike me emrin e tij; meqë ishte shkrimtari më i mirë, siç thoshte Kadare, mund të jepet një çmim me emrin e tij; meqë ishte më i madhi i Filologjikut, mund të vihet një statujë para atij fakulteti, aty ku kemi statujën e një sociologu që s’lidhet asgjë me atë fakultet. E shumëçka tjetër mund të bëhet për të, në fakt, për ne, sepse ne s’mund t’ia kthejmë kurrë borxhin, por mund të tregojmë se dimë të kthehemi kah e mbara. Boll kemi punuar mbrapsht.
Kur erdhi ai nga fshati, Prishtina ende s’ishte bash qytet, kurse jeta letrare ishte gati shkretinë. Por, ju e dini që këtu shkretinë ka qenë gjithmonë, madje edhe në kohën e Justinianit, Prishtina ishte veç hinterland i Ulpianës. Ato pak shenja të një jete letrare e kulturore në këtë qytet i ka krijuar një tjetër shqiptar nga Mali i Zi, Esad Mekuli, i cili e kishte themeluar revistën Jeta e Re dhe inkurajonte të rinjtë të shkruanin e të botonin në gjuhën shqipe. Aty i botoi edhe Qosja shkrimet e para, librin e parë dhe, pastaj, për pak kohë edhe e drejtoi revistën, një numër të së cilës në vitin 2011, derisa isha kryeredaktor, desha t’ia kushtoj atij (pas numrit special për Kadarenë), por Ministria e Kulturës, që atëherë udhëhiqej nga PDK-ja, vendosi të mos e financonte. Prandaj, atë vit nuk doli numri i tretë i revistës, siç dilte rregullisht.
Qosja nuk gjeti asgjë këtu, gjithçka e ndërtoi, e bëri për ne dhe na e la neve, bashkë me parabolën biblike që e përsëriste shpesh për margaritarët dhe derrat: Mos i hidhni margaritarët para derrave! Ai na la margaritarë, tash varet prej nesh nëse dimë t’i çmojmë, apo do të tregohemi derra. Uroj që kjo shoqëri persekutuese ta përjetojë përvojën e Damaskut, si Shën Pali dikur.
Në fillim ju thashë, Qosja nuk ishte i lehtë, dhe unë e kam dashur pikërisht pse s’ishte i tillë, megjithëse një njeri të rëndë, një njeri me peshë si ai, s’domethënë patjetër ta duash, mjafton ta nderosh. Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Ali Aliu dhe Sabri Hamiti, ndonjëherë u përplasën me të, nuk u pajtuan, por ia njohën vlerat. Kjo nuk flet vetëm për madhështinë e tij, por edhe për fisnikërinë e tyre.
Rexhep Qosja vdiq më 23 prill, që është datë e vdekjes së Shekspirit, dhe s’di se pse po më ndryshon mënyra e të folurit nga fundi i këtij fjalimi; ndoshta sepse Shekspiri, Qosja dhe unë jemi dramaturgë.
Miq, dardanë, bashkëqytetarë, më dëgjoni!
Kam ardhur ta kujtoj, jo ta lavdëroj Qosjen.
E keqja që bëjnë njerëzit jeton pas tyre;
e mira shpesh u varroset bashkë me eshtrat.
Kështu, pra, le të jetë edhe me Qosjen. Burra fisnikë
ju kanë thënë se Qosja ishte ambicioz.
Nëse ishte kështu, ky ishte një faj i rëndë,
dhe Qosja e ka paguar shtrenjtë.
Këtu, me lejen e atyre burrave
(sepse ata burra janë të ndershëm;
po, ashtu janë, të gjithë njerëz të ndershëm),
kam ardhur të flas në përkujtimin e Qosjes.
Ai ishte mësuesi dhe miku im,
besnik dhe i drejtë ndaj meje,
por do burra thonë se ishte ambicioz,
dhe ata burra janë të ndershëm.
Ai i ka sjellë shumë ide në Prishtinë,
Prej tyre s’përfitoi gjë, por ia la atdheut.
A ju duket kjo ambicie?
Kur ky popull qante, edhe Qosja qante;
ambicia mendoj se është më e ftohtë se kaq.
Megjithatë ata burra thonë se ai ishte ambicioz,
dhe ata janë njerëz të ndershëm.
Ju e keni parë ose dëgjuar që kur në vitet ‘90
ia ofruan kurorën për ta udhëhequr këtë vend,
ai e refuzoi. A ishte kjo ambicie?
Megjithatë ata burra thonë se ai ishte ambicioz,
dhe sigurisht ata janë njerëz të ndershëm.
Unë nuk flas për t’i kundërshtuar ato që thonë ata,
por flas për atë që di vetë.
Ju e keni dashur dikur,
Çfarë ju ndalon ta nderoni tani?
Prej kujt keni frikë?
O gjykim, ti ke ikur te bishat e egra,
dhe njerëzit kanë humbur arsyen!
Motra, vëllezër, është koha t’i ulni heshtat,
Dhe të tregoni se dini t’i çmoni vlerat.
Në të kundërtën, do të më detyroni të besoj
se në Ditën e Madhe të Letërsisë,
më 23 prill 2026, ne s’kemi varrosur një trup të pajetë,
por arsyen tonë. /kultplus