Filharmonia e Kosovës mbyll sezonin me koncertin

Filharmonia e Kosovës mbyll sezonin me koncertin "Americana"

Kultura June 27, 2026 - 15:24

Filharmonia e Kosovës do ta përmbyllë sezonin artistik 2025/2026 me koncertin festiv "Americana", i cili do të mbahet më 8 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Filharmonisë, koncerti i këtij viti i kushtohet muzikës amerikane dhe shënon 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Programi do të sjellë para publikut vepra të kompozitorëve të njohur amerikanë, ndër ta Leonard Bernstein dhe George Gershwin, duke ofruar një përzgjedhje që pasqyron pasurinë dhe diversitetin e traditës muzikore amerikane.

Sipas organizatorëve, koncerti do të ndërthurë ritmet dhe ngjyrat karakteristike të muzikës amerikane, nga dinamizmi i metropoleve deri te eleganca e repertorit simfonik, duke vënë në pah ndikimin e saj në skenën muzikore ndërkombëtare.

Filharmonia e Kosovës do të performojë nën drejtimin e dirigjentit të saj të nderit, Toshio Yanagisawa, duke përmbyllur një tjetër sezon artistik me një koncert në qiell të hapur, i cili synon të promovojë muzikën, kulturën dhe miqësinë ndërmjet popujve.

Koncerti mbahet të mërkurën, më 8 korrik 2026, në Sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë. Hyrja për publikun do të bëhet nga ora 19:00, ndërsa koncerti nis në ora 20:30. Organizatorët kanë bërë të ditur se hyrja do të jetë e mundur përmes rezervimeve online.