“Crossroads Fest” e shndërroi Hanin e Elezit në skenë të imagjinatës
Dita e tretë e Crossroads Fest – The Light Edition iu kushtua tërësisht fëmijëve, edukimit artistik dhe krijimtarisë, duke e shndërruar Hanin e Elezit në një hapësirë ku arti nuk u shfaq vetëm në skenë, por u jetua nga vetë banoret.
Programi i pasur ndërthurte punëtori kreative, teatër në rruge, performanca interaktive dhe ekspozita, duke dëshmuar se festivali synon të ndërtojë publikun e së ardhmes përmes përvojave artistike që nisin që në moshë të hershme.
Mëngjesi nisi me workshopin inspirues të udhëhequr nga Fatbardh Kabashi, ku të rinjtë e Hanit të Elezit patën mundësinë të zhvillonin ide, të ndanin përvoja dhe të frymëzoheshin përmes diskutimeve mbi kreativitetin, lidershipin dhe angazhimin në komunitet.
Në orët e pasdites, atmosfera mori ngjyrat e artit pamor, ku fëmijët u bënë protagonistët kryesorë të Workshopit të Muralit, të udhëhequr nga artistja Ermira Murati (Orange Girl). Përmes ngjyrave dhe imagjinatës, ata krijuan së bashku një vepër që simbolizon bashkëpunimin, lirinë e shprehjes dhe fuqinë e artit për të transformuar hapësirat publike.
Rrugët e qytetit u mbushën me buzëqeshje falë performancës së TIM Teatrosk dhe spektaklit interaktiv FuzzBubble, të cilët sollën teatër rruge, humor, animacion dhe lojëra me flluska gjigante, duke krijuar një atmosferë festive ku fëmijët dhe familjet u bënë pjesë aktive e shfaqjes.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte ekspozita e punimeve të nxënësve të SHFMU “Ilaz Thaçi”, kushtuar figurës së Isa Berishës. Përmes vizatimeve dhe krijimeve artistike, nxënësit sollën një homazh të ndjerë për personalitetin e tij, duke dëshmuar se arti është një mënyrë e fuqishme për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj vlerat e komunitetit.
Dita u përmbyll me programin e Artit Publik dhe Dritës – The Light Edition, ku instalacionet dhe ndërhyrjet artistike vazhduan ta shndërrojnë Hanin e Elezit në një galeri të hapur, duke lidhur artin bashkëkohor me jetën e përditshme të qytetit.
Me një program të ndërtuar rreth edukimit, kreativitetit dhe përfshirjes së brezit të ri, Crossroads Fest po dëshmon se kultura nuk është vetëm një ngjarje për t’u ndjekur, por një përvojë që ndërtohet së bashku me komunitetin dhe që lë gjurmë te secili pjesëmarrës.