Rikthehet pas 14 vjetësh Festivali i Filmit Shqiptar

Rikthehet pas 14 vjetësh Festivali i Filmit Shqiptar

Kultura September 02, 2026 - 19:58

Pas një ndërprerjeje prej disa vitesh, nesër më 3 shtator, rikthehet edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau sot mesazhin promovues të festivalit, teksa thekson se deri më 12 shtator Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar do të festojë artin, historinë dhe të ardhmen e kinematografisë sonë.

Mbrëmja e parë hapëse do të bëjë bashkë kineastët, aktorët dhe dashamirësit e artit pamor në një festë dedikuar trashëgimisë dhe të ardhmes së kinematografisë sonë.

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, i cili rikthehet pas 14 vitesh synon të krijojë ura komunikimi mes kinematografisë shqiptare dhe publikut.

Ai bashkon audiencën me prodhimet tona filmike, ndërkohë që frymëzon dhe inkurajon të rinjtë të bëhen pjesë e industrisë dhe të kontribuojnë aktivisht në të ardhmen e saj.

Në kuadër të festivalit do të ndahen gjithashtu çmime karriere për 15 figura të njohura të kinematografisë shqiptare, si vlerësim për kontributin e tyre artistik dhe profesional.

Rikthimi pas shumë vitesh i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar vjen falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), nën drejtimin artistik të Ilir Butkës dhe në bashkëprodhim me Iceberg Communication, duke e kthyer kryeqytetin, për dhjetë ditë me radhë, në epiqendrën kulturore të muajit shtator.

Më 3 shtator, në orën 10:00 do të mbahet në sallën e Universitetit të Arteve një konferencë shtypi ku do të zbulohen programi i plotë, risitë dhe aktivitetet kryesore të këtij edicioni special.

Një mbrëmje gala, në sheshin e Universitetit të Arteve, do të bëj bashkë yjet e kinemasë shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Festivali vazhdon me ceremoninë zyrtare të hapjes, duke kulmuar  me ndarjen e Çmimit të Karrierës, për 16 kolosë që me punën e tyre kanë shkruar historinë e filmit shqiptar. Në skenë do të nderohen Esat Musliu, Petrit Beci, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Robert Radoja, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro dhe Tinka Kurti, ndërsa në kujtim do të nderohen emra të paharruar të kinemasë shqiptare: Birçe Hasko, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Xhanfise Keko dhe Xhevdet Feri.

Emocionet e para të festivalit vijnë menjëherë pas ceremonisë zyrtare të hapjes, me shfaqjen e filmit “Liqeni Im”, një homazh i ngrohtë për regjisorin Gjergj Xhuvani, një prej emrave më të mëdhenj të kinemasë tonë.

Përgjatë 10 ditëve, publiku do të ketë mundësinë e rrallë të ndjekë prodhimet artistike të kineastëve shqiptarë, realizuar gjatë 13 viteve të fundit.

Festivali është i hapur për të gjithë filmdashësit, me projeksione çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 23:00 të mbrëmjes. Hyrja për publikun është e lirë për të gjithë filmat, nga data 4 deri më 11 shtator, një ftesë e hapur për çdo dashamirës të ekranit të madh.

Filmat do të shfaqen në katër hapësira kryesore në Tiranë, në Universitetin e Arteve, Kinema Agimi, Piramida e Tiranës dhe Film Zone (në hapësirën e Tirana Moons – Sheshi “Nënë Tereza”)

Shumica e prodhimeve konkurruese janë mbështetur financiarisht nga QKK, krahas filmave të realizuar me ndihmën e institucioneve kulturore të huaja në vend. Anëtarët e jurive që do të vlerësojnë filmat në çdo kategori janë bërë tashmë publikë në faqen zyrtare të festivalit.

Festivali do të kulmojë me natën gala të çmimeve, e cila do të kurorëzojë veprat dhe krijuesit më të spikatur të këtij edicioni. Gjithsej 31 çmime do të ndahen në tri kategori vlerësimi: çmimet e akorduara nga Juria e Ekspertëve, votimi nga anëtarët e Akademisë së Festivalit, si dhe Votat e Publikut.

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar nisi udhëtimin e tij në vitin 1976 dhe në 10 ditët e këtij edicioni, do të sjellë në kryeqytet një pasqyrë të mrekullueshme të prodhimeve kinematografike shqiptare nga 2013 e deri më sot, mbi 100 filma që tregojnë udhëtimin e gjatë e të bukur të filmit shqiptar.

Ky festival është, para së gjithash, një ftesë për t’u dashuruar sërish me kinemanë shqiptare, një mundësi e rrallë për publikun të shohë nga afër ikonat e ekranit dhe artistët pas kamerës, që kanë krijuar brez pas brezi, artin e mrekullueshëm të kinematografisë shqiptare.