Një film skocez mund ta rrëmbejë kurorën e “filmit të parë me zë në botë”

Një film skocez mund ta rrëmbejë kurorën e “filmit të parë me zë në botë”

Kultura October 08, 2026 - 11:14

Për gati një shekull, Këngëtari i xhazit [The Jazz Singer] është cilësuar si filmi i parë artistik me metrazh të gjatë në botë që përmbante dialog të sinkronizuar (i njohur si “film me zë”), ndërsa anglishtja si gjuha e parë e kinemasë.

Por, një zbulim i rastësishëm kërcënon ta përmbysë historinë e filmit, me lajmin se mund t’ia ketë marrë këtë titull plot një vit më herët një film i realizuar në Glasgou dhe i shkruar në gjuhën skoceze.

Zbulimin e bëri historiani dhe “maniaku i filmit”, siç e quan vetë veten Marc David Jacobs, i cili po kryente kërkime për një libër mbi valën e parë të filmave britanikë me zë kur hasi në historinë e Derisa të bien kambanat.

Filmi artistik 46-minutësh, me pjesë të folura dhe zë të sinkronizuar gjatë gjithë rrjedhës, pati premierën në Edinburg në tetor 1926, një vit përpara se Këngëtari i xhazit, me Al Jolsonin në rol kryesor, të shfaqej në kinematë e Nju-Jorkut mes bujës së madhe dhe të zinte vendin e tij në librat e historisë.

“Ky ishte fillimi i asaj që ne do ta konsideronim film modern”, tha Jacobs. “Në atë kohë ishte një formë krejtësisht e re arti dhe, sikur të ishte përqafuar në Britani, mund të kishim pasur një histori vërtet alternative të kinemasë ku amerikanët nuk do ta kishin marrë kontrollin dhe nuk do të kishin krijuar një epërsi kaq të madhe”.

Image

Graham Moffat e bëri regjinë dhe luajti në “Derisa të bien kambanat” përkrah gruas së tij, Maggie.

Libraria Britanike

Krijim i dramaturgut skocez Graham Moffat, Derisa të bien kambanat është komedi familjare e vendosur në Glasgou dhe e interpretuar nga trupa shëtitëse gjashtanëtarëshe e Moffatit, ku përfshiheshin gruaja e tij Margaret, dhe vajza Winifred, në atë që ai e quante lowland braid Scots: një term për dialektin skocez në gjuhë të thjeshtë, me prejardhje nga Skocia qendrore dhe jugore.

Në atë kohë u reklamua si një “superfilm me zë ... mbi jetën familjare viktoriane” dhe, në premierën e tij, u çmua si një moment historik i kinemasë. Edinburgh Evening News shkroi në një recension: “As Amerika nuk ka tentuar ndonjëherë një vepër të tillë ... Sinkronizimi mes imazhit në ekran dhe dialogut në gjuhën skoceze, të shqiptuar prej figurave në ekran, ishte aq i përsosur sa fare mirë mund të mendoje se po dëgjoje një version të mirëfilltë skenik të komedisë”.

Por, Jacobsi tha se filmi u harrua shpejt. “Kjo përshtatet në një rrëfim më të gjerë për kinemanë britanike, e cila është lënë pas dore në mënyrë të veçantë”, tha ai. “Mendoj se, sikur të ishte vlerësuar si një prodhim qartësisht skocez, mund të kishte mbijetuar ose të ishte zbuluar deri tani. Por, ai ka përfunduar nën kategorinë e kinemasë britanike dhe nuk ekziston ndonjë ndjesi e vërtetë se historia e kinemasë britanike ia vlen në fakt të shqyrtohet”.

Image

Në atë kohë filmi u reklamua si një “superfilm me zë”

Foto: Biblioteka Kombëtare e Skocisë