Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton shfaqjen “HOPE” në Vjenë

Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton shfaqjen “HOPE” në Vjenë

Kultura October 16, 2026 - 23:20

Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar shfaqjen “HOPE” në Brunnenpassage, në Vjenë të Austrisë, me koreografi të Sead Vuniqit.

Shfaqja u realizua në bashkëpunim me organizatat Action for Health Kosovo dhe Sport und Kulturverein – Kë, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Përmes kësaj shfaqjeje, synohet të mbështetet ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, të luftohet stigmatizimi dhe të promovohet solidariteti me personat që përballen me këtë sëmundje.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, si dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar që jetojnë në Austri.

Me prezantimin e shfaqjes “HOPE”, Baleti Kombëtar i Kosovës ndërthur artin dhe mesazhin shoqëror, duke kontribuar në sensibilizimin e publikut për një çështje të rëndësishme shëndetësore.