135-vjetori i shkollës së “Vashave”, kujtohet kontributi i motrave Qiriazi
135-vjetori i Shkollës së Vashave në Korçë është përkujtuar përmes një ekspozite jubilare në godinën e saj të parë historike. E hapur më 23 tetor 1891 nga Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi, kjo shkollë shënoi një moment të rëndësishëm për arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe.
“Jemi shumë të gëzuar që në ekspozitën tonë kemi sjellë, nga arkivi ynë i pasur, dokumente nga fondi i Edwin dhe Finia Kenedit, që përmban dëshmi nga Sevasti Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi. Gjithashtu, kemi bashkëpunuar me Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Korçës, Bankën e Shqipërisë, e cila ka emetuar një monedhë përkujtimore me imazhin e Sevastisë Qiriazi, si dhe me studiuesin Niko Kotheria, i cili disponon një arkiv të pasur me fotografi dhe libra shkollorë të kësaj periudhe”, u shpreh David Hosaflook, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.
“Këto dy zonja kanë bërë një akt guximi në atë kohë, sepse u kanë dhënë vajzave të asaj kohe diçka që askush në botë nuk mund t’ua marrë. Është pikërisht dija, dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Kështu që, le t’i nderojmë ashtu siç u ka hije”, tha Majlinda Toçi, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
“Ua kam kushtuar kërkimin tim dhe jetën time motrave Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, veçanërisht Parashqevisë. Kur kam qenë për herë të parë në Manastir, në godinën e Kongresit, doja të lija një shenjë edhe aty. Shkrova: ‘Në emër të Parashqevisë, ka ardhur sot Teuta”, theksoi Teuta Toska, Studiuese e gjuhësisë dhe historisë së arsimit shqiptar.
“Dita e hapjes së Mësonjëtores së Parë të Vajzave ka një ndriçim vezullues mbi të tjerat, sepse nuk përfaqëson thjesht dhe vetëm emancipimin, por edhe rolin e asaj dore që tund djepin dhe drejton botën. Vajzat erdhën këtu për t’u arsimuar dhe për t’u bërë nëna të mira shqiptare. Formimin që morën këtu e dëshmuan më vonë në jetën e tyre”, tha Niko Kotherja, Historian dhe studiues i historisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 tetor, duke nderuar trashëgiminë e motrave Qiriazi dhe kontributin e tyre të çmuar në arsimimin dhe emancipimin e vajzave shqiptare.