Bogujevci sheh nga afër përgatitjet e "Akordeve": Po bëhet punë e mrekullueshme
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci ka qëndruar sot në sallën "1 Tetori", për të parë nga afër punët përgatitore të Festivalit të Këngës “Akordeve të Kosovës”, dy ditë para nisjes së edicionit të katërt, që organizohet nga Radiotelevizioni i Kosovës.
Ajo ka parë nga afër skenografinë e punuar nga Vesë Kraja dhe dimensionet e tjera të Festivalit të Këngës në RTK.
“Me një pjesë të ekipit të festivalit “Akordet e Kosovës”, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën “1 Tetori”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.
Bogujevci u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e Festivalit të Këngës, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik me mundin e të cilëve po jetësohet edicioni i katërt.
Festivali i këtij viti do të sjellë tri net të veçanta, të mbushura me muzikë, emocione dhe interpretime artistike. Një hapësirë e veçantë do t'u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve më 1 nëntor, duke promovuar zërat e rinj dhe duke mbështetur zhvillimin e tyre artistik.
Këtë vit është rikthyer emri i ngjarjes muzikore historike në Kosovë, “Akordet e Kosovës”, si mirënjohje për të gjithë artistët që i shërbyen muzikës së mirëfilltë shqipe ndër dekada.
Organizatorët kanë premtuar tri mbrëmje magjike muzikore, të cilat vijnë si festë artistike në Prishtinë. Spektakli do të pasurohet me këngëtarët mysafirë, emra të dashur për publikun të cilën do të interpretojnë në skenën madhështore.
