Filmi “Sara” i Burim Halitit përzgjidhet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv në Milano
Filmi dokumentar “SARA”, me regji të Burim Halitit, producente Ganimete Savën dhe prodhim të “Art Without Limit”, është përzgjedhur në Seleksionimin Zyrtar të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, që mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.
Filmi do të shfaqet sot më 30 tetor, në orën 12:30, në kinemanë Cinema Centrale – Sala 2, në Milano, duke prezantuar krijimtarinë kinematografike nga Kosova në një ngjarje ndërkombëtare që ndërthur sportin, filmin dhe kulturën.
Sipas organizatorëve, në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur 120 vepra nga gjithsej 912 aplikime. Festivali organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS) dhe përbën finalen e rrjetit ndërkombëtar “World FICTS Challenge”, i cili përfshin 27 festivale në pesë kontinente.
Një rol në dërgimin e filmit për shqyrtim ka pasur Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa përzgjedhja në programin zyrtar u bë nga organizatorët e festivalit.
“SPORT MOVIES & TV” është një festival i njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i cili promovon vepra audiovizuale që lidhen me sportin dhe vlerat e tij kulturore e shoqërore.
Shfaqjet do të zhvillohen në disa hapësira kulturore të Milanos, ndërsa festivali do të përmbyllet më 2 nëntor, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Auditorium Testori, në kompleksin Palazzo Lombardia.
Përzgjedhja e “SARA”-s përbën një mundësi për prezantimin e filmit kosovar në një platformë ndërkombëtare dhe për promovimin e krijimtarisë vendore përtej kufijve të Kosovës. /kultplus