Inteligjenca artificiale ndihmon në zbulimin e hershëm të kancerit të mushkërive

Inteligjenca artificiale ndihmon në zbulimin e hershëm të kancerit të mushkërive

Shëndetësi April 16, 2026 - 07:59

Një mjet i ri i bazuar në inteligjencën artificiale (AI) mund të përmirësojë ndjeshëm zbulimin e hershëm të kancerit të mushkërive përmes analizës së skanimeve CT.

Sistemi i ri përdor një metodë të avancuar që shqyrton njëkohësisht detajet e imta dhe pamjen e përgjithshme të mushkërive, në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si punojnë mjekët specialistë.

Kanceri i mushkërive është një nga format më të zakonshme të kancerit dhe shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri tek burrat dhe gratë.

Diagnostikimi i hershëm është vendimtar, pasi rrit shumë mundësitë e mbijetesës. Sipas vlerësimeve, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare mund të kalojë nga rreth 10% në fazat e vona në mbi 90% kur sëmundja zbulohet herët, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Skanimet CT janë shpesh hapi i parë për diagnostikim, por identifikimi i tumoreve të vegjël mbetet sfidues. Tumoret në fazat e para mund të jenë shumë të vegjël, të ngjajnë me indet përreth ose të mos dallohen lehtë gjatë interpretimit njerëzor.

Për të kapërcyer këto vështirësi, studiuesit nga Universiteti i Teknologjisë në Kaunas zhvilluan një model AI që kombinon dy këndvështrime analize në një proces të vetëm. Mjeti AI mund të vërejë nyje të vogla në mushkëri dhe njëkohësisht të kuptojë vendndodhjen dhe rëndësinë e tyre në gjithë organin.

Modeli u trajnua me skanime nga persona të shëndetshëm dhe pacientë me kancer të mushkërive. Kjo i mundësoi sistemit të dallojë indet normale, ndryshimet beninje dhe tumoret malinje. Në testime, arriti saktësi mbi 96%, duke tejkaluar disa metoda ekzistuese.

Edhe pse nevojiten studime të mëtejshme para përdorimit klinik, kjo teknologji premton të rrisë saktësinë diagnostikuese, të kursejë kohë për mjekët dhe të ndihmojë në shpëtimin e më shumë jetëve përmes zbulimit të hershëm të sëmundjes.