Pse trajtimet kundër kancerit nuk funksionojnë njësoj për të gjithë pacientët?

Pse trajtimet kundër kancerit nuk funksionojnë njësoj për të gjithë pacientët?

Shëndetësi April 18, 2026 - 18:20

Një studim i ri shkencor mund të shpjegojë një nga misteret më të mëdha të mjekësisë moderne – pse i njëjti trajtim kundër kancerit funksionon për disa pacientë, ndërsa tek disa të tjerë dështon, sipas “Nature Communications”.

Hulumtimi u krye nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga shkencëtarët e Laboratorit të Shkencave Mjekësore te Këshillit të Kërkimeve Mjekësore (LMS) në Londër, në bashkëpunim me Kolegjiin Imperial të Londrës dhe institucione të tjera kërkimore në SHBA dhe Evropë.

Çfarë zbuluan shkencëtarët?

Ekipi, i udhëhequr nga studiuesja Louise Fets, analizoi mënyrën se si shpërndahen brenda tumoreve barnat e njohura si PARP inhibitorë, të përdorur gjerësisht në trajtimin e kancerit të vezoreve, gjirit dhe prostatës.

Duke përdorur teknika të avancuara si imazheria me spektrometri mase dhe inde reale tumorale njerëzore të mbajtura gjallë në laborator, studiuesit arritën të “hartëzojnë” me saktësi vendndodhjen e barnave brenda qelizave.

Rezultati ishte befasues:
• Barnat nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë në tumor
• Disa qeliza marrin doza shumë të larta (“hotspots”)
• Të tjera pothuajse nuk ekspozohen fare ndaj ilaçit

Mekanizmi i fshehur: “kurthi lizozomal”

Shkencëtarët zbuluan se disa barna, si “rucaparib” dhe “niraparib”, bllokohen brenda strukturave të vogla qelizore të quajtura lizozome – që zakonisht shërbejnë për riciklimin e mbetjeve qelizore.

Këto lizozome veprojnë si “rezervuarë” të barnave; i mbajnë dhe i lëshojnë gradualisht; krijojnë shpërndarje të pabarabartë brenda tumorit.

Ndërkohë, një tjetër ilaç i së njëjtës klasë, “olaparib”, nuk u kap në të njëjtën mënyrë, duke treguar se vetitë kimike të ilaçit ndikojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e tij.

Pse ka rëndësi ky zbulim?

Ky mekanizëm mund të jetë një nga arsyet kryesore pse disa tumore bëhen rezistente ndaj trajtimit; pse pacientë me të njëjtin kancer reagojnë ndryshe ndaj të njëjtit ilaç.

Sipas studiuesve, kuptimi i këtij procesi mund të çojë në përzgjedhje më të saktë të trajtimit për çdo pacient; zhvillim të barnave më efektive dhe rritje të ndjeshme të suksesit të terapive kundër kancerit

ëKy zbulim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt mjekësisë së personalizuar në onkologji, ku trajtimi nuk bazohet vetëm në llojin e kancerit, por edhe në mënyrën se si secili tumor shpërndan dhe përdor ilaçet.

Në të ardhmen, kjo mund të nënkuptojë që dy pacientë me të njëjtën diagnozë nuk do të marrin më domosdoshmërisht të njëjtin trajtim – por atë që funksionon më mirë për trupin e tyre. /atsh