Simaku: Asnjë rast me hantavirus në Shqipëri, rreziku i ulët

Simaku: Asnjë rast me hantavirus në Shqipëri, rreziku i ulët

Shëndetësi May 11, 2026 - 19:46

Epidemiologu pranë Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, Artan Simaku tha sot se rreziku nga hantavirusi në Shqipëri është i ulët.

Në një konferencë për medie Simaku theksoi se “nuk ka fare rrezik. Risku për Shqipërinë dhe kontinentin europian është shumë i ulët. Kjo nënkupton që nuk ka asnjë lloj kufizimi të udhëtimeve dhe tregtisë, jo vetëm për shtetasit shqiptarë, por edhe për europianët. Ky vlerësim bazohet në disa kritere epidemologjike, së pari, sepse duke nisur nga shpërthimi në anijen turistike, lloji i brejtësit që është rezervuar për virusin të quajtur hantas nuk ekziston në Europë dhe Shqipëri”.

Sipas tij, hantaviruset janë një grup i madh virusesh të ndryshme, ky lloj që u zbulua në anije transmetohet në raste shumë të rralla nga njeriu te njeriu, por brenda kontakteve të ngushta dhe të zgjatura familjare.

Simaku u shpreh se “llojet e tjera që qarkullojnë në Shqipëri nuk transmetohen mes njerëzve”.

Sa i përket masave të marra, Simaku theksoi se “ISHP dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kanë marrë masa si përforcimi i survejancës në lidhje me raste të dyshuara, shpërndarjen e informacionet në të gjithë shërbimet e sëmundjeve infektive në të gjithë vendin, ndarja e informacionit dhe përforcimi i survejancës në të gjitha hyrjet detare e tokësore e ajrore, si dhe marrjen e masave të shëndetit publik në lidhje me mjetet kryesore parandaluese dhe veshjet mbrojtëse. Po kryhet edhe faqja informuese për të qenë më të përditësuar me shenjat dhe simptomat e hantavirusit, dhe zbulimin në kohë të çdo rasti të dyshuar dhe izolimin e çdo rastit ë dyshuar nëse do të ketë dhe monitorimin e kontakteve”.

“Shqipëria ka kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, por edhe me vendet e rajonit, veçanërisht me Greqinë, e cila kishte një rast të shpërthimit. Nuk ka fare vend për panik, shërbimi shëndetësor në të gjithë vendin është i gatshëm për të identifikuar sa më shpejt çdo rast të mundshëm. ISHP ka të gjitha kapacitetet për kryerjen testimit, kryerjen e diagnozës dhe dhënien shumë shpejt të rezultatit”, theksoi Simaku.

Simaku tha se “nuk ka shans fare për pandemi se nuk transmetohet te nga njeriu te njeriu, rreziku për shpërthime të lokalizuara është shumë i ulët”.