Sistemit publik shëndetësor i shtohen 17 anesteziologë të rinj

Sistemit publik shëndetësor i shtohen 17 anesteziologë të rinj

Shëndetësi July 09, 2026 - 13:27

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se sistemit publik shëndetësor i janë shtuar 17 anesteziologë të rinj, duke forcuar kapacitetet profesionale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.

Sipas SHSKUK-së, anesteziologët janë pjesë kyçe e çdo ndërhyrjeje kirurgjike, trajtimit intensiv dhe menaxhimit të rasteve urgjente, duke ofruar shërbime pandërprerë në institucionet publike shëndetësore.

Me angazhimin e 17 specialistëve të rinj, pritet të rritet mbështetja për sallat operative, njësitë e kujdesit intensiv, repartet emergjente dhe shërbimet e tjera spitalore.

SHSKUK-ja u ka uruar mirëseardhje anesteziologëve të rinj, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e tyre dhe duke u dëshiruar suksese në punën e tyre në shërbim të pacientëve.