Veshka e modifikuar gjenetikisht nga derri mban gjallë pacientin për 271 ditë

Veshka e modifikuar gjenetikisht nga derri mban gjallë pacientin për 271 ditë

Shëndetësi September 04, 2026 - 16:20

Një burrë 66-vjeçar në SHBA është bërë personi i parë në botë që ka jetuar 271 ditë pa dializë, falë transplantimit të një veshke derri, të modifikuar gjenetikisht, sipas “The Lancet”.

Tim Andrews, nga New Hampshire, vuante nga insuficienca renale në fazën përfundimtare, e shkaktuar nga diabeti i tipit 2.

Në janar 2025, mjekët i transplantuan një veshkë të marrë nga një derr i racës “Yucatan”, e cila ishte ndryshuar në laborator për ta bërë më të përshtatshme për trupin e njeriut.

Veshka filloi të funksiononte menjëherë dhe Andrews mundi të jetonte për rreth nëntë muaj pa pasur nevojë për dializë.

Pas rreth gjashtë muajsh, enët e gjakut të veshkës filluan të dëmtoheshin dhe dëmtimi përparoi deri në dështimin e organit.

Mjekët e hoqën veshkën e derrit dhe pacienti iu nënshtrua përkohësisht dializës, përpara se të merrte një veshkë nga një dhurues njerëzor i vdekur.

Mjekët e konsiderojnë këtë një arritje të rëndësishme sepse organi i derrit shërbeu si një “urë”: pra, i dha pacientit mundësinë të jetonte pa dializë ndërkohë që priste një veshkë njerëzore.

Çfarë do të thotë “modifikuar gjenetikisht”?

Shkencëtarët ndryshuan disa pjesë të ADN-së së derrit, për ta bërë veshkën më pak të rrezikuar nga refuzimi i sistemit imunitar të njeriut. Kur trupi merr një organ nga një specie tjetër, sistemi imunitar mund ta njohë atë si të huaj dhe ta sulmojë.

Ky lloj transplantimi nga një kafshë te njeriu quhet ksenotransplantim.

Studiuesit nga qendrat mjekësore “Mass General Brigham” në SHBA, të cilët publikuan rezultatet në revistën shkencore “The Lancet”, thonë se mungesa e organeve njerëzore është një nga problemet më të mëdha në transplantet e organeve.

Sipas tyre, në të ardhmen veshkat e derrave mund të përdoren fillimisht për t’i mbajtur pacientët larg dializës, ndërsa presin një organ njerëzor, dhe nëse studimet e ardhshme tregojnë se janë të sigurta dhe funksionojnë për një kohë të gjatë, ato mund të përdoren potencialisht edhe si trajtim afatgjatë.

Një tjetër transplant i veshkës së derrit te një pacient i gjallë ishte kryer në vitin 2024 në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit.

Pacienti jetoi 52 ditë me organin e derrit, përpara se të vdiste nga probleme të zemrës që, sipas mjekëve, nuk kishin lidhje me transplantin.

Në rastin e Andrews, studiuesit thanë se nuk u zbuluan viruse apo patogjenë të tjerë të derrit gjatë periudhës së monitorimit.

Vetë Andrews e ka cilësuar transplantin si një “mrekulli”, duke thënë se pas ndërhyrjes mund të gatuante, të pastronte shtëpinë dhe të bënte shëtitje të gjata me qenin e tij.

Ky rast nuk do të thotë ende se veshkat e derrave mund të zëvendësojnë në mënyrë të përhershme veshkat njerëzore.

Ai tregon se një veshkë derri e modifikuar gjenetikisht mund të funksionojë te një njeri për muaj të tërë, duke i dhënë pacientit kohë të presë një organ njerëzor.

Nevojiten ende studime për të vërtetuar sigurinë dhe funksionimin afatgjatë. /atsh