Studimi: Konsumi i rregullt i kafes ndikon në funksionimin e sistemit tretës
Konsumimi i rregullt i kafesë mund të ndikojë në funksionimin e sistemit tretës, duke nxitur lëvizjet e zorrëve dhe duke ndikuar në përbërjen e baktereve të tyre. Ky është rezultati i një studimi të Universitetit të Kopenhagës.
Në studim morën pjesë 61 të rritur të shëndetshëm në Danimarkë. Studiuesit përdorën një kapsulë të vogël elektronike, të cilën pjesëmarrësit e gëlltitën për të monitoruar proceset në aparatin tretës.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin nga 1 deri në 5 filxhanë kafe në ditë kishin një diversitet më të madh të mikroorganizmave në zorrë. Gjithashtu, ata paraqisnin aciditet më të ulët në zorrën e hollë dhe më shumë kontraktime të kolonit, lëvizje që ndihmojnë në kalimin e mbetjeve dhe mund të parandalojnë kapsllëkun.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk është provuar ende se kafeja është shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre ndryshimeve. Nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar ndikimin e saj në shëndetin e sistemit tretës.