Dalin pamjet e para nga prova e parë e Shqipërisë në Eurovision [foto]
Shqipëria ka prezantuar provën e parë skenike në Eurovision me një koncept të thellë emocional, të ndërtuar rreth temave të mallit, humbjes dhe shpresës.
Shqipëria këtë vit do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, e që është një temë emocionale për mungesën dhe mallin, shkruan Zeri.info.
Alis i cili do të ngjitet në skenë me 14 maj, ka pasur sot provën e parë në skenën e Eurovisionit në Vjenë, hap performancën i gjunjëzuar në një skenë të errët, përpara se të ngrihet mes reve të tymit, duke vendosur menjëherë tonin dramatik të shfaqjes.
I veshur me kostum të zi të zbukuruar me detaje xhevahiresh, ai shoqërohet nga një narrativë vizuale e pasur e shfaqur në ekranet skenike. Në grafikë paraqitet një grup grash, disa të veshura me elemente tradicionale shqiptare, që simbolizojnë nënat shqiptare dhe pritjen e tyre për rikthimin e djemve.
Rrëfimi vizual ndërthuret me skena alternative ku djemtë shfaqen duke kënduar dhe duke i siguruar nënat se gjendja aktuale është e përkohshme dhe se gjithçka do të përmirësohet, duke krijuar një kontrast emocional mes largimit dhe shpresës.
Gjatë performancës, teksti i këngës do të shfaqet edhe me titra në anglisht, praktikë e përdorur më herët edhe në edicionet e tjera të Eurovisionit, si rasti i Italisë në Bazel 2025.
Produksioni skenik mbetet i mbështjellë me elemente të tjera ende të pa zbuluara, duke ruajtur një pjesë të misterit për publikun deri në prezantimet e ardhshme. /Zëri