Protesta dhe dorëheqje në Moldavi pas votimit në Eurovision
Shefi i transmetuesit publik të radios dhe televizionit të Moldavisë dha dorëheqje të hënën, pas protestave masive publike lidhur me votimin e vendit në konkursin e Eurovisionit fundjavën e kaluar.
Qindra fansa iu drejtuan rrjeteve sociale për të denoncuar vendimin e jurisë moldave, e cila i dha vetëm tre pikë Rumanisë fqinje në finalen e së shtunës.
Moldavia, para se të fitonte pavarësinë në vitin 1991, kishte qenë pjesë e Perandorisë Ruse, Rumanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, dhe ndan lidhje të forta gjuhësore e kulturore me Rumaninë.
“Ishte vendimi im”, tha Vlad Turcanu, drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit të Moldavisë, gjatë një konference të thirrur me urgjencë për media.
“Ne u distancuam nga votimi i jurisë, por kjo mbetet përgjegjësia jonë, përgjegjësia ime në radhë të parë, si drejtues i këtij institucioni.”
Satoshi tha se mbështetja masive publike për Rumaninë “pasqyron opinionin e vërtetë të shoqërisë sonë”, transmeton Zeri.info.
Dorëheqja ishte një dëshmi dramatike e rolit që luajnë rrjetet sociale në një nga vendet më të varfra të Evropës, presidentja e të cilit ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës fqinje dhe është zotuar ta anëtarësojë vendin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Juria e Moldavisë, e përzgjedhur nga transmetuesi publik, i dha pikët maksimale prej 12 pikësh përfaqësuesit të Polonisë, i cili u rendit i 12-ti.
10 pikë shkuan për Izraelin, që përfundoi në vendin e dytë në konkurs, i cili u trondit nga bojkotet e pesë shteteve për shkak të veprimeve izraelite në Gaza. Bullgaria u shpall fituese.
Shikuesit e televizionit, votat e të cilëve gjithashtu llogariten në renditjen finale të konkursit, i dhanë 12 pikë Rumanisë, të përfaqësuar nga Alexandra Capitanescu.
Shikuesit shprehën gjithashtu zemërim që juria nuk i kishte dhënë asnjë pikë përfaqësuesit të Ukrainës në konkurs.
“E vetmja gjë që ka rëndësi janë votat e njerëzve të zakonshëm”, shkroi ish-ministri i Mbrojtjes, Anatol Salaru, në Facebook. “Ky ishte një votim mes vëllezërve. Pjesa tjetër është një detaj i parëndësishëm.”
Përfaqësuesi i Moldavisë, Satoshi, tha se mbështetja masive publike për Rumaninë “pasqyron opinionin e vërtetë të shoqërisë sonë”. /Zëri