Dua Lipa shkëlqen në Londër gjatë prezantimit të koleksionit të saj të ri të kujdesit për lëkurën
Dua Lipa tërhoqi gjithë vëmendjen gjatë prezantimit të koleksionit të saj të ri të kujdesit për lëkurën “Dua by Augustinus Bader”, në dyqanin e njohur Selfridges në Londër.
Këngëtarja shqiptare u shfaq me një paraqitje tejet elegante dhe të guximshme, e veshur me një fustan të shkurtër me print fluturash nga Kim Shui, të cilin e kombinoi me çizme vintage Dior deri në gju, me vlerë rreth 4 mijë paund, si dhe një çantë nga Kurt Geiger London, shkruan DailyMail.
Eventi promovoi linjën e saj të produkteve të kujdesit për lëkurën, e krijuar në bashkëpunim me markën Augustinus Bader, partneritet që u bë publik në fund të vitit 2025. Koleksioni përfshin tre produkte me çmime që nisin nga 30 paund.
Megjithatë, ky sukses biznesi vjen në një moment të tensionuar për artisten, pasi ajo ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh (rreth 13.2 milionë euro) ndaj Samsung.
Dua pretendon se kompania ka përdorur pa autorizim fotografinë e saj në paketimet e televizorëve dhe në fushata marketingu globale.
Sipas dokumenteve gjyqësore, artistja pretendon se nuk ka dhënë asnjë leje për përdorimin e imazhit të saj dhe se fotografia është përdorur për të nxitur shitjet.
Ekipi i saj ligjor argumenton se fansat janë bindur se ajo po mbështeste produktin, gjë që sipas tyre ka dëmtuar kontrollin e saj mbi markën personale dhe partneritetet komerciale. /telegrafi

