“Ishin 12 veta, më rrahën”, zbardhet dëshmia e Clevios për Noizyn në gjykatë
Kleviol Ahmeti, i njohur gjerësisht në publik si “Cllevio Serbiano”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme (SPAK) në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut. Gjatë deklaratës së tij, Ahmeti ka sqaruar raportin që ka me të akuzuarin për vrasje e krime të rënda, duke treguar se njihen që nga fëmijëria në qytetin e Lushnjës, por ka mohuar të ketë pasur kontakte me të gjatë viteve të fundit.
Ai u shpreh: “Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit as familjarë, as miqsorë. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnjë, Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë sime. Jemi rrit bashk njihemi familjarisht. Në 2007-ën kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur u ktheja rrija në Lushnjë. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Viteve të fundit unë se kam takuar fare.”
Reperi tregoi para trupit gjykues kronologjinë e periudhës së tij të burgimit, duke insistuar se pas lirimit në vitin 2020 nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi, qoftë edhe telefonik, me Haxhiun.
“Vij nga SHBA në 2013-ën dhe në 2014-ën bie në burg. Kam dal në 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur 313 dhe 302 Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin” – deklaroi Cllevio, duke u distancuar nga ngjarjet kriminale për cilat akuzohet bashkëqytetari i tij.
Pjesa më e madhe e dëshmisë së Ahmetit u fokusua te përplasja e tij e bujshme me Noizyn. Ai shpjegoi zanafillën e konfliktit të tyre që nisi përmes këngëve fyerëse, të njohura në botën e hip-hopit si “diss-e”, të cilat Cllevio i nisi për të fituar famë menjëherë pas daljes nga burgu, raporton JoqAlbania.
“Rigles Rajkun e kam të njohur, njohuri artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigles Rajku për të marr famë shante Viktor Palokën i njohur si Unikatili. Ne kur na shante Noizy ishim në Amerike. Pas 15-20 viteve ia kthej edhe unë muzikën duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në 2020-ën doja të bëhesha i famshëm, dhe fillova ta ngacojmë, në mënyrë artistike quhet ‘Diss’. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente” – tha ai.
Më tej, Cllevio përshkroi me detaje momentin kur vendosi të shkonte në Durrës për t’i kërkuar falje Noizyt, vizitë kjo që përfundoi në një sherr fizik masiv para lokalit “Zins” në zonën e Currilave. Ai kujtoi se si u sulmua sapo hoqi syzet në shenjë respekti:
“Dhe një ditë të bukur i thashë vetes boll me dise dhe shkova t’i kërkoja falje. Ishte i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali Zins në Currila parkova dhe i thashë mos dilni nga makina. Kur vajta aty doli Rigles Rajku djali i Bashkimit dhe 12 vetë. Aty më rrahën, me shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital u mjekova dhe u arrestova se isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg. Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hap instagramin live dhe thoja që po shkoi në Durres te Noizy. Kur hyra te lokali ishte një roje i thashë ma thirr Noizyn ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që shoqëronin Noizyn. Kur erdhi Noyzi unë hoqa syzet për ta respektuar dhe atë moment më qëlloi me grusht dhe më qëlluan 6-8 veta. U përfshinë ne sherr dhe dy shokët e mi, njërit iu thyem dhëmbët.”
Cllevio dëshmoi se nga dhuna e ushtruar kishte pësuar dëmtime serioze në kokë e brinjë, ngjarje kjo që u dokumentua edhe me pamje filmike në rrjetet sociale. Megjithatë, ai mohoi të kishte thurur plane për hakmarrje. Lidhur me shpërthimin me tritol që tronditi lokalin e Noizyt disa kohë më vonë, Cllevio sqaroi se lajmin e kishte marrë vesh vetëm brenda qelisë dhe mohoi kategorikisht që pas këtij sulmi të qëndronte Laert Haxhiu.
“Unë kam pas dëmtime kokë dhe brinjë. Per këtë ngjarje kam dhënë deklaratë ku kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike dhe më qëllojne. Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noyzit. Lajmin për shpërthimin me tritol te lokali i Noizyt e dëgjova nga shokët e burgut. Kur shkova në sektor e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditëve. Pastaj më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol. Unë i thashë se nuk e si kush ja ka vendos tritolin se isha në burg. E mendova me vete kush mund ta ketë berë, e mendova se mund ta kishte bërë BABA. Nuk me ka ardhur asnjë llaf që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Taganin nuk e njoh fare. Nuk pajtohemi me Noizyn” – përfundoi Cllevio përpara trupit gjykues, duke konfirmuar se marrëdhëniet e tyre mbeten të ngrira.