Dua Lipa fshin nga Instagrami fotot e Kep Merlit, veprimi ngjall debate
Fotografitë e Dua Lipës nga pushimet në Kep Merli, të cilat për vite me radhë ishin pjesë e profilit të saj në Instagram, nuk gjenden më në llogarinë e këngëtares. Veprimi ka nxitur diskutime në rrjetet sociale, pasi vjen pak ditë pas publikimit të episodit të podcastit të saj me shkrimtaren Lea Ypi, ku u diskutua edhe për protestat kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Dua Lipa kishte ndarë më herët me ndjekësit pamje nga pushimet në jug të Shqipërisë, duke e cilësuar Kep Merlin si një nga vendet e saj të preferuara. Megjithatë, këto postime tashmë janë fshirë nga profili i saj, pa ndonjë shpjegim publik nga artistja.Fshirja e fotografive ka nxitur interpretime të ndryshme. Disa e shohin si një riorganizim të zakonshëm të profilit në Instagram, ndërsa të tjerë e lidhin me debatin e fundit për zhvillimet në zonat e mbrojtura, debat që u rikthye në vëmendje edhe gjatë bisedës së Dua Lipës me Lea Ypin. Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim se ekziston një lidhje mes këtyre dy ngjarjeve.
Në podcastin e publikuar këtë javë, Lea Ypi dhe Dua Lipa diskutuan për librin “Free”, por prekën edhe çështje që lidhen me Shqipërinë, përfshirë ndryshimet ligjore dhe protestat për mbrojtjen e mjedisit. Episodi ka gjeneruar reagime të shumta në rrjetet sociale.Pavarësisht spekulimeve, Dua Lipa nuk ka komentuar publikisht arsyet e fshirjes së fotografive nga Kep Merli, ndaj motivi i këtij veprimi mbetet i panjohur./KultPlus