Lyrical Son u bën thirrje shqiptarëve t’i bashkohen Marshit për Liri më 12 Shtator
Reperi i njohur shqiptar, Lyrical Son, u është drejtuar shqiptarëve kudo që ndodhen, duke i ftuar t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Përmes një videoje të publikuar në InstaStory, reperi ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë.
Lyrical Son ka ftuar qytetarët që më 12 shtator, nga ora 14:00, të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Përshëndetje të gjithëve. Kisha dashtë me shfrytëzu rastin të ju ftoj të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës, kudo që janë, të jeni pjesë apo t’i bashkangjiteni Marshit për Liri, i cili organizohet nga platforma ‘Liria ka Emër’, me 12 shtator në orën 14:00, në sheshin ‘Skënderbeu’, për eprorët tanë që mbahen padrejtësisht në Gjykatën e Hagës”, ka thënë ai.
Në fund të mesazhit, reperi ka përsëritur ftesën për pjesëmarrje, duke rikujtuar datën, orën dhe lokacionin e organizimit.
“Pra edhe njëherë, 12 shtator, ora 14:00, sheshi ‘Skënderbeu’, Marshi për Liri. Ju mirëpresim”, ka përfunduar Lyrical Son.