Ian Gillan shtrohet në spital, Deep Purple anulon dy koncertet në Gjermani
Ian Gillan, vokalisti 81-vjeçar i grupit legjendar Deep Purple, është shtruar në spital pas një urgjence mjekësore.
Për shkak të gjendjes së tij, grupi është detyruar të anulojë dy koncertet e planifikuara këtë fundjavë në Gjermani, në kuadër të turneut botëror SPLAT!.
Lajmin e bëri të ditur vetë grupi përmes një njoftimi në Instagram, ku shprehu keqardhjen për anulimin e koncerteve në Leipzig dhe Hamburg, shkruan DailyMail.
Anëtarët bënë të ditur se po punojnë për të gjetur data të reja, ndërsa biletat e blera do të mbeten të vlefshme.
Deri tani nuk janë dhënë detaje mbi natyrën e urgjencës mjekësore që çoi në shtrimin e këngëtarit në spital.
Në nëntor të vitit 2025, Gillan kishte folur për problemet serioze me shikimin, duke zbuluar se i kishte mbetur vetëm 30 për qind e shikimit.
Ai kishte treguar se kjo gjendje ia vështirësonte punën dhe se përshtatja me të ishte shumë e lodhshme.
Në atë kohë, këngëtari kishte lënë të kuptohej se tërheqja nga muzika nuk ishte e largët.
Deep Purple, i formuar në Angli në vitin 1968, është një nga grupet më të njohura të rokut, me hite si “Smoke on the Water” dhe “Highway Star”.
