Rame Lahaj ndan emocionet pas koncertit në Dyseldorf

Rame Lahaj ndan emocionet pas koncertit në Dyseldorf

Showbiz November 03, 2026 - 12:52

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, ka publikuar një video me pamje nga koncerti i mbajtur më 30 tetor në Robert-Schumann-Saal të Dyseldorfit, ku u takua me publikun shqiptar në kuadër të turneut ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”.

Përmes një postimi në Facebook, Lahaj ka ndarë emocionet pas koncertit, duke falënderuar të pranishmit për pritjen. Ai ka thënë se atë mbrëmje u ndje si në shtëpi dhe se takimi ia lehtësoi mallin e viteve të kaluara larg bashkatdhetarëve.

“Si rrallëherë, u ndiva si n’shpi. Ma shuet mallin e krejt atyne viteve larg njani-tjetrit”, ka shkruar tenori.

Në fund të mesazhit, Lahaj ka paralajmëruar takimin e radhës me publikun, që do të mbahet në Vjenë më 8 nëntor.

Koncerti në Dyseldorf ishte ndalesa e dytë e turneut “PASSION & ORIGIN”, i cili nisi më 10 tetor në Zurich të Zvicrës. Në këtë projekt, Lahaj performon së bashku me ARMA Ensemble, me një program që ndërthur këngë shqiptare me repertorin ndërkombëtar.

Përveç melodive nga Kosova dhe Shqipëria, programi përfshin këngë italiane e franceze, muzikë filmash dhe pjesë të njohura të repertorit ndërkombëtar. Në repertor janë edhe këngë si “Parla più piano”, “Ne me quitte pas”, “La Bohème”, “Bésame mucho”, “Caruso” dhe “My Way”.

Pas koncertit në Dyseldorf, ndalesa e radhës e turneut është Wiener Konzerthaus në Vjenë, më 8 nëntor, në orën 19:00. Më pas, më 13 dhjetor, Lahaj dhe ARMA Ensemble do të performojnë në Bluma Appel Theatre në Toronto.

“PASSION & ORIGIN” sjell në skenë dy dimensione të rrugëtimit artistik të tenorit: muzikën që e ka shoqëruar gjatë karrierës dhe lidhjen me vendin e origjinës. /telegrafi

Image