Vdes në moshën 85-vjeçare aktori i famshëm Stacy Keach
Aktori amerikan i teatrit dhe kinemasë, Stacy Keach, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. I njohur për rolet e tij në filmat “Fat City”, “The Ninth Configuration” dhe serialet televizive “The New Mike Hammer” dhe “Prison Break”, Keach ishte një nga figurat më të spikatura të skenës dhe ekranit amerikan.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga bashkëshortja, Maëgosia Tomassi, e cila bëri të ditur se aktori ndërroi jetë në banesën e familjes në Magdalenka të Polonisë, pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me probleme serioze të zemrës dhe insuficiencë kardiake.
“Stacy nuk ishte vetëm një aktor legjendar, i admiruar dhe i dashur nga publiku në të gjithë botën, por edhe bashkëshorti im i dashur, shoku im i jetës dhe zemra e familjes sonë. Largimi i tij lë një boshllëk të pamatshëm në jetën tonë. Megjithatë, shpirti i tij i jashtëzakonshëm, zëri i paharrueshëm dhe dashuria që dhuroi bujarisht do të mbeten përgjithmonë me ne”, thuhej në deklaratën e saj.
I lindur në Savannah të Xhorxhias, Keach ishte djali i dy aktorëve që ishin njohur gjatë studimeve në Universitetin Northwestern. Ai studioi në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ku përfundoi studimet në letërsi angleze dhe art dramatik. Më pas vazhdoi formimin artistik në Shkollën e Dramës në Yale dhe në Akademinë Mbretërore të Muzikës dhe Artit Dramatik në Londër, si bursist Fulbright.
Karrierën e nisi në teatër, ku interpretoi personazhe të rëndësishme të dramaturgjisë klasike, përfshirë Henrin V, Mercution dhe Lord Berowne. Me kalimin e viteve, ai ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të larmishme, duke u shndërruar në një aktor që mund të përballonte me të njëjtën mjeshtëri role dramatike, historike dhe personazhe komplekse.