Massa sprovon veten në Formula E

Sport December 14, 2018 - 13:21
Detajet

Felipe Massa do ta provojë një eksperiencë të re. Ish-kampioni i botës në Formula 1 këtë muaj do ta nisë karrierën e re në Formula E. 37 vjeçari pauzoi vitin e fundit, ndërsa tash është gati për të shkëlqyer në formulën e re. Edhe pse nuk konsiderohet si njëri prej favoritëve, braziliani do ta pasurojë dhe masivizojë këtë sport më pak të njohur, shkruan sot, gazeta “Zëri”

E ka realizuar ëndrrën për t’u bërë kampion bote në Formula 1. Ka qenë i vlefshëm në ekipin e Ferrarit për shumë vite. Është rritur profesionalisht nën këshillat e Michael Schumacherit. Dhe sot, pas një periudhe pushimi, do t’i kthehet pistës në sezonin 2018/19 në Formula E.

Po flasim për brazilianin Felipe Massa, ende i dashur nga tifozët brazilianë dhe ata italianë. 37 vjeçari, ish-kampion i botës në vitin 2008 do të zbresë në bordin e një Formula E, me ekipin Venturi, për të marrë pjesë në kampionatin e plotë.

Kampionati i ri do të nisë me garën e parë të sezonit më 15 dhjetor, në Arabinë Saudite, në pistën e Rihyadhit për garën “Ad Diriyah ePrix”.

Karriera e re e Massas

Ishte viti 2013 kur Felipe Massa ishte larguar nga Ferrari për t’iu bashkuar Williamsit, të cilin e përfaqësoi për katër vjet, ndërsa në vitin e fundit pauzoi. Sidoqoftë, ai po kthehet në një kampionat elektrizues, më saktësisht në Formula E.

Ekipi i Felipes, Venturi, e ka selinë në Montecarlo, në rezidencën e brazilianit, përkrah italo-zviceranit Edoardo Mortara.

Tash Massa do ta nisë këtë eksperiencë me shpirtin e një djaloshi dhe shumë njerëz do të nisin t’i shikojnë garat e Formula E vetëm për shkak të prezencës së tij.

Në testet parasezonale, prezenca e Massas ka bërë që shumë njerëz t’i zhvendosin sytë kah ky sport, ndërsa për ta parë nga afër ishte edhe ish-kampioni botëror i Formula 1, Nico Rosberg.

Gjatë vitit që pushoi, Massa ka bërë gara për qejf në Brazil dhe ka marrë pjesë si intervistues i F1 në disa raste, ndërsa kishte hyrë edhe në “komentim” në GP d’Italia për televizionin “Rai”. Massa është 37 vjeç ndërsa karriera e tij është kaluar kryesisht në Formula 1, ku ishte i angazhuar nga viti 2004 deri në 2017.

Organizatori i Formula E, Alejandro Agag ndihet i lumtur që këtij sporti iu bashkua një yll si Massa. Prej ish-garuesve të Formula 1 në Formula E është edhe Nelsinho Piquet, titullar në Jaguar.

Kampion në fuqi është Jean-Eric Vergne, gjithashtu ish-garues i Formula 1, i cili do ta drejtojë ende ekipin kinez Techeetah, i sponsorizuar nga DS e Citroen.

Në pistë do të jenë 22 formula dhe për herë të parë garuesit nuk do të kenë nevojë për ta ndërruar makinën gjatë garës. Tash Formula E do t’ia dalë t’i kompletojë xhirot e parapara duke e përdorur vetëm një bateri./Zëri