Trajneri i Kosovës në basketboll flet për takimet e muajit nëntor dhe gjasat e “Dardanëve” për kualifikim

Trajneri i Kosovës në basketboll flet për takimet e muajit nëntor dhe gjasat e “Dardanëve” për kualifikim

Sport October 26, 2020 - 14:26

Në muajin nëntor, ekipi përfaqësues i Kosovës do të luajë ndaj Sllovakisë dhe Islandës në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2023, raporton "Zeri.info".

Dy ndeshjen në fjalë do të zhvillohen në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos, i cili i ka parë nga afër ndeshjet e Reload Superkupës, ka folur për sfidat e nëntorit.

“Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mirë në çdo ndeshje. Ne e dimë se nuk do të jetë lehtë, por do të japim maksimumin”, deklaroi trajneri Marmarinos për faqen zyrtare të FBK-së.

Sa ka ndikuar pandemia në basketboll?

“Pandemia ka ndikuar në mbarë globin. E kemi parë edhe NBA, por edhe në të gjithat ligat, ku rezultatet nuk kanë qenë të pritura. Ne do të japim më të mirën tonë”, vazhdoi ai.

Ai foli edhe për ndeshjet që i pa në Kosovë.

“Ndeshjet ishin mjaft interesante dhe kompetitive. Kishte shumë rivalitet në fushë. Më pëlqeu një lojtar, por nuk do t’ia them emrin”, shtoi tutje përzgjedhësi i Kosovës.

Por, cilat janë gjasat e Kosovës për tu kualifikuar në rrethin e ardhshëm?

“Ne do të hyjmë ndeshje pas ndeshje dhe nuk do të mendojmë kualifikimin tani. Do të mundohemi të japim më të mirën. Sigurisht se nuk është lehtë, pasi 7 muaj nuk ka pasur basketboll dhe kjo ndikon te lojtarët dhe tek të gjithë”, nënvizoi Marmarinos.

Kosova do të grumbullohet në Sllovaki më 23 nëntor, derisa ndeshjen me sllovakët do ta zhvillojë më 26 nëntor, kurse më 28 nëntor ballafaqohet me Islandën, takim që po ashtu zhvillohet në Sllovaki.

Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, Dardanët do të përballen me Luksemburgun dhe Islandën.

Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që ndeshjet e nëntorit të grupit të Kosovës të zhvillohen në Sllovaki, kurse më pas do të vendosë se ku do të zhvillohen ndeshjet e muajit shkurt të vitit 2021.

/Zeri.info