“Skuadra më e mirë fitoi”, Guardiola flet pas humbjes befasuese nga Man Utd

“Skuadra më e mirë fitoi”, Guardiola flet pas humbjes befasuese nga Man Utd

Sport January 17, 2026 - 16:51

Trajneri Pep Guardiola ka pranuar hapur se Manchester United ishte skuadra më e mirë në fitoren 2-0 ndaj Manchester Cityt në derbin e qytetit.

Pas ndeshjes, trajneri i Cityt deklaroi për Sky Sports:

“Skuadra më e mirë fitoi. Ata ishin më të mirë. Kur një ekip është më i mirë, duhet ta pranosh. Ata kishin energjinë që ne nuk e kishim, kështu që urime për ta”.

“Ata krijuan raste në fund dhe natyrisht golat që pësuam ishin shumë dobët. Nuk e kontrolluam lojën, por në përgjithësi mund të flasim për këtë apo atë aksion. Ne kemi detyrimin ta analizojmë ndeshjen në tërësi dhe ata ishin më të mirë”.

“Ata e nisën shumë fort, ne humbëm një ose dy topa. Reagimi i tifozëve është normal sepse është derbi. Për shumë vite ata kanë qenë pas skuadrës së tyre dhe me trajnerin e ri është normale që ndodhin gjëra të tilla në lojë”.

“Ne nuk arritëm as të rrezikonim, as të dërgonim krosime apo të bënim lëvizje për ta fituar ndeshjen. Kjo lidhet edhe me energjinë – fitorja apo humbja varet nga ajo që bëjmë me topin, jo vetëm pa të”.

Guardiola gjithashtu refuzoi të ankohej për faktin që Diogo Dalot i shpëtoi kartonit të kuq.

“Mund ta thuash edhe këtë, mund të thuash që po të jepej kartoni i kuq do të ishte tjetër ndeshje. Shumë situata ndodhin”.

“Është e lehtë për mua të vij këtu dhe të them se duhej të ishte karton i kuq. Por nuk është kjo arsyeja për të fituar apo humbur një ndeshje. Për të fituar duhet të bësh më mirë dhe ne sot nuk e bëmë”.

Pas kësaj humbjeje, Manchester City mbetet gjashtë pikë prapa Arsenalit në garën për titull në Liga Premier, ndërsa londinezët kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.