Bekë Berisha jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Sigal Prishtinës
Bekë Berisha nuk do të vazhdojë detyrën si kryetar i Sigal Prishtinës. Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se Berisha ka dhënë dorëheqje gjatë ditës së shtunë, vetëm pak ditë pas emërimit të tij në krye të klubit bardhekaltër.
Berisha ishte emëruar kryetar i Sigal Prishtinës më 14 janar, ndërsa dorëheqja e tij ka ardhur pas vetëm tri ditësh në këtë post.
Vendimi lidhet edhe me reagimet institucionale, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte theksuar se mbajtja njëkohësisht e postit të deputetit dhe e drejtimit të një klubi sportiv përbën konflikt interesi, duke kërkuar që Berisha të zgjedhë njërën prej tyre.
Situata në klub ka qenë e tensionuar edhe më herët. Tifogrupi “Plisat” ka pasur përplasje të vazhdueshme me kryesinë e vjetër, ndërsa pakënaqësitë e tyre nuk janë zbutur as pas emërimit të Berishës si kryetar.
Sipas tyre, klubi është keqmenaxhuar dhe nevojiten ndryshime të thella në drejtim.
Të shtunën ishte paralajmëruar një konferencë për shtyp nga ora 18:00, por ajo nuk u mbajt. Në vend të saj, është zhvilluar një takim me dyer të mbyllura mes përfaqësuesve të “Plisave” dhe zyrtarëve të klubit, takim që ende po vazhdon.
Sipas informacioneve pritet që në ditët në vijim Sigal Prishtina të emërojë një kryetar të ri të përkohshëm, deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për drejtimin e klubit. /telegrafi