Atletico Madridi kalon në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve
Barcelona është eliminuar nga Liga e Kampionëve për edicionin e sivjetëm, pasi u mposht me rezultat të përgjithshëm nga rivali spanjoll, Atletico Madridi.
Ky i fundit e fitoi ndeshjen e parë në “Camp Nou” me shifrat prej 2-0, një rezultat që i kreu shumë punë në ndeshjen e dytë.
Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone e gjeti vetën në disavantazh prej 2-0 pas minutës së 24-të në ndeshjen e sontme, pas golave nga Lamine Yamal dhe Ferran Torres.
Mirëpo, epërsinë e Barcelonës në Madrid e zbuti Ademola Lookman, i cili shënoi në minutën e 31-të të ndeshjes.
Kështu u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Barcelona shënoi edhe një herë, mirëpo goli u anulua.
Ferran Torres shënoi në minutën e 55-të të takimit, por që goli i tij u anulua shkaku i pozitës jashtëloje.
Kur po afrohej minuta e 80-të, Barcelona mbeti me një lojtar më pak, pasi mbrojtësi Eric Garcia u ndëshkua me karton të kuq, pas ndërhyrjes si lojtar i fundit ndaj Alexander Sorlothit.
Në fund, ndeshja u mbyll me shifrat prej 2-1 në të mirë të Barcelonës, mirëpo rezultati i përgjithshëm i shkon në të mirë Atleticos, 3-2.
Në gjysmëfinale, Atletico do të luajë me fituesin e ndeshjes së nesërme mes Arsenalit dhe Sportingut të Lisbonës, që luhet në “Emirates” nga ora 21:00. Ndeshja e parë ishte mbyllur 1-0 në të mirë të “Topçinjëve”.