Mbi një milion euro për Komitetin Olimpik të Kosovës
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, të hënën ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës.
Sipas të parit të sportit kosovar, marrëveshja është nënshkruar me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe parasheh mbështetje financiare prej mbi një milion eurosh për programet dhe aktivitetet sportive gjatë vitit 2026.
“Me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, zotëri Ismet Krasniqi, sapo nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen për vitin 2026. Sporti është prioritet strategjik për shtetin tonë, si në zhvillimin e sportit e rinisë, ashtu edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Ky memorandum siguron mbi 1 milion euro mbështetje për programet dhe aktivitetet sportive”, shkroi ministri Gashani.
Ky angazhim, sipas tij, vjen në një moment të rëndësishëm, me pjesëmarrjen e Kosovës në lojërat mesdhetare “Taranto 2026” dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Përmes këtij investimi synojmë rritjen e performancës sportive, forcimin institucional dhe avancimin e rolit të sportit në zhvillimin shoqëror dhe ndërkombëtar të vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë partner i qëndrueshëm i sportit dhe mbështetës i çdo suksesi që e përfaqëson Kosovën me dinjitet”, ka shkruar më tej ministri Gashani.