Artet marciale: Garuesit e Kosovës vijnë nga Greqia me tre medalje historike
Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në debutimin e saj në Kampionatin Evropian të MMA-së, të organizuar nga Global Association of Mixed Martial Arts në Loutraki.
Garuesi Ermal Berisha i siguroi Kosovës medaljen e argjendtë në kategorinë -70 kg, pas një rrugëtimi mbresëlënës drejt finales me dy fitore të rëndësishme. Megjithatë, ai nuk arriti të garojë në finalen e madhe për shkak të një prerjeje serioze në vetull, me vendim të stafit mjekësor.
Sukses tjetër për ekipin kosovar solli Ylli Rexhaj, i cili fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -80 kg, ndërsa në konkurrencën e të rinjve, Muhamed Kashtanjeva u shpërblye me medalje të bronztë në kategorinë -58 kg, transmeton Klankosova.tv.
Ky rezultat përbën një moment historik për MMA-në kosovare, duke dëshmuar potencialin dhe përkushtimin e sportistëve në arenën ndërkombëtare.
Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzoi garuesit, trajnerët dhe federatën për këtë sukses të rëndësishëm.