Kastrioti dhe Rahoveci kërkojnë finalen e madhe

Kastrioti dhe Rahoveci kërkojnë finalen e madhe

Sport May 06, 2026 - 17:01

Sot dhe nesër luhen ndeshjet e dyta të serisë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Sonte prej orës 19:30 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë takohen Vëllaznimi dhe Kastrioti.

Ndeshjen e parë në Ferizaj, Kastrioti e fitoi me rezultatin bindës, 41:27. Rrjedhimisht Kastrioti udhëton në Gjakovë për tjetër fitore dhe vend në finale të madhe.

Kastrioti, që ka fituar Kupën, e përfundoi stinorin e rregullt në vendin e parë, ndërsa Vëllaznimi në të katërtin.

Të enjten prej orës 20:00 është ndeshja në mes të Besa Famgasit dhe Rahovecit. Ndeshja në “Karagaçi” pritet të jetë shumë e fortë dhe dramatike.

Ndeshjen e parë Rahoveci e fitoi me dy gola dallim, 32:30. Ndeshja në Rahovec ishte e fortë dhe interesante. Dhe është e sigurt se njëjtë do të jetë edhe në Pejë.

Për kualifikim në finale, skuadrat duhet t’i kenë dy fitore. Ndeshjet e treta eventuale zhvillohen në Ferizaj e Rahovec.

Sonte prej orës 19:30 luhet edhe ndeshja e mbetur e kampionatit të rregullt në mes të Trepçës dhe Prishtinës. Trepça është e gjashta me 18 pikë, ndërsa Prishtina e shtata me 17 pikë.

Të dy skuadrat janë të interesuara t’i ikin vendit të shtatë, përkatësisht të parafundit.