Xabi Alonso i penduar që mori drejtimin e Real Madridit

Xabi Alonso i penduar që mori drejtimin e Real Madridit

Sport May 09, 2026 - 19:25

Sezoni i Real Madridit ka qenë zhgënjyes dhe situata u përkeqësua edhe më shumë këtë javë, pasi Aurelien Tchouameni dhe Fede Valverde u përplasën fizikisht, me këtë të fundit që përfundoi i shtruar në spital.

Vera e kaluar kishte nisur me shumë pritshmëri, kur Xabi Alonso mori drejtimin e skuadrës nga Carlo Ancelotti, por tani ajo periudhë duket shumë larg realitetit të sotëm.

Alonso, i cili erdhi nga Bayer Leverkusen, shihej si njeriu që do ta rivalizonte Barcelonën për titullin në La Liga dhe do ta rikthente Realin në garë serioze për trofeun e 16-të në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, pavarësisht se fitoi Clasico-n e tij të parë 2-1 në “Santiago Bernabeu”, humbja ndaj katalanasve në finalen e Superkupës së Spanjës e vulosi fundin e aventurës së tij.

Sipas raportimit të “Cadena SER”, Alonso është larguar nga Reali me marrëveshje të dyanshme vetëm disa ditë pas finales dhe tashmë e konsideron vendimin për t’u kthyer në “Bernabeu” si të gabuar.

Trajneri spanjoll kishte refuzuar oferta nga klube si Liverpooli dhe Bayern Munich përpara se ta pranonte postin te Real Madridi në vitin 2025, por tani, gjithnjë sipas burimit, ai beson se nuk ishte momenti i duhur për ta marrë këtë sfidë dhe se ajo që ka ndodhur këtë sezon është dëshmi e qartë.

Tensionet e brendshme te madrilenët, të cilat kulmuan me incidentin mes Tchouamenit dhe Valverdes, thuhet se kanë nisur pas largimit të Alonsos në janar. Disa lojtarë nuk e kishin pritur mirë ndarjen me 44-vjeçarin, ndërsa të tjerë ishin të kënaqur me largimin e tij.

Në të ardhmen, Alonso mund të ketë mundësi të rikthehet sërish te Real Madridi, por për momentin ky kapitull duket i mbyllur. Ai tashmë po mendon për hapin e radhës, të cilin mund ta bëjë që këtë verë – dhe një rikthim te Liverpooli, një tjetër ish-klub i tij, nuk përjashtohet nëse “The Reds” vendosin të ndahen me Arne Slot. /telegrafi

Image