Haalandi flet për garën për titull: Po shohim ndeshje pas ndeshje

Haalandi flet për garën për titull: Po shohim ndeshje pas ndeshje

Sport May 10, 2026 - 17:43

Erling Haaland ka deklaruar se Manchester City po e menaxhon garën për titull në Ligën Premier duke e marrë situatën ndeshje pas ndeshjeje, ndërsa vazhdon ndjekjen ndaj Arsenal.

Sulmuesi norvegjez foli pas fitores 3-0 ndaj Brentford, takim në të cilin kontribuoi me një gol dhe një asist.

“Është një ndjesi e mirë të fitosh 3-0”, tha Haaland pas ndeshjes.

“Thjesht na mungoi goditja e fundit drejt portës. Krijuam shumë raste dhe nuk e finalizuam aksionin e fundit pas shumë krosimeve.”

Ai vlerësoi edhe paraqitjen e kundërshtarit, duke theksuar vështirësinë e çdo përballjeje në elitën angleze.

“Brentford u mbrojt mirë. Ata janë një ekip i mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në Premier League, kështu që jemi të lumtur.”

Sa i përket garës për titull, Haaland insistoi se skuadra nuk po mendon shumë larg.

“Nuk kam menduar për ndonjë ndeshje tjetër. Thjesht jam lodhur duke luajtur këtë ndeshje. Mënyra se si i afrohemi sfidës tjetër është të mos mendojmë për asnjë ndeshje tjetër për dy ditë dhe më pas të përpiqemi të fitojmë ndeshjen tjetër. Të rikuperohemi, pastaj vjen ndeshja tjetër dhe përsëri e njëjta gjë.”

Në fund, norvegjezi e bëri të qartë mentalitetin që ekziston te kampionët anglezë:

“Nëse luan për Manchester Cityn, mendon për tituj çdo ditë", tha Haaland.