Yamal pranon frikën për Botërorin: Mendoja se mund ta humbisja turneun

Yamal pranon frikën për Botërorin: Mendoja se mund ta humbisja turneun

Sport May 31, 2026 - 22:07

Ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, ka zbuluar se përjetoi momente ankthi pas dëmtimit në kofshën e majtë, duke pasur frikë se mund të humbiste Kupën e Botës 2026.

Talenti i FC Barcelona u lëndua më 22 prill gjatë një ndeshjeje të kampionatit spanjoll dhe pranoi se në fillim druhej se problemi mund të ishte më serioz sesa ishte parashikuar.

“Brenda vetes lutesha që të mos ishte asgjë serioze, që të ishte vetëm një ngërç ose diçka e ngjashme. E shihja Kupën e Botës që po afrohej dhe e dija se dëmtime të tilla mund të të mbajnë larg fushave për një kohë të gjatë”, ka deklaruar Yamal për mediat spanjolle.

Pavarësisht shqetësimeve fillestare, 18-vjeçari është përfshirë në listën e përzgjedhësit Luis de la Fuente për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Spanja do ta nisë rrugëtimin në turne më 15 qershor ndaj Kepi i Gjelbër, ndërsa më pas do të përballet me Arabia Saudite dhe Uruguai në fazën e grupeve.

Yamal iu bashkua shokëve të skuadrës në seancën e parë stërvitore të kombëtares, megjithëse vazhdon të ndjekë një program të veçantë rikuperimi.

Për futbollistin e Barcelonës, ky do të jetë Botërori i parë në karrierë, ndërsa ai nuk e fsheh ambicien e tij më të madhe.

“Kupa e Botës është ngjarja më e rëndësishme në futboll. Kam ëndërruar qindra herë ta fitoj këtë trofe dhe shpresoj që një ditë ta bëj realitet”, u shpreh Yamal./rtk