Prishtina mirëpret edicionin e katërt të “Prishtina Padel Open 2026”
Sporti i padelit vazhdon të shënojë rritje të shpejtë në Kosovë, ndërsa më 20 dhe 21 qershor kryeqyteti do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij sporti në rajon.
Federata e Padelit e Kosovës, në bashkëpunim me “Padel Zone Prishtina”, organizon edicionin e katërt të turneut ndërkombëtar “Prishtina Padel Open 2026”.
Për të dytin vit radhazi, turneu organizohet në bashkëpunim me Federatën e Padelit të Shqipërisë, duke forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe duke krijuar një platformë të përbashkët për zhvillimin e padelit në rajon.
Gjatë dy ditëve të garës, “Padel Zone Prishtina” do të mirëpresë lojtarë nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, të cilët do të sfidojnë njëri-tjetrin në ndeshje të nivelit të lartë për titullin e kampionit dhe fondin e shpërblimeve prej 1.000 eurosh.
Organizatorët presin një konkurrencë të fortë dhe një atmosferë të veçantë sportive, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të komunitetit të padelit në Kosovë dhe interesimin gjithnjë e më të madh për këtë sport.
“‘Prishtina Padel Open’ është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të padelit në Kosovë.
Ky turne jo vetëm që promovon konkurrencën sportive, por edhe lidhjen mes komuniteteve të padelit në rajon”, është shprehur Jusuf Kika, sekretar i FPK-së.
Regjistrimet për turneun janë tashmë të hapura përmes platformës Rankedin dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 17 qershor. Numri i ekipeve pjesëmarrëse është i limituar në 40, prandaj organizatorët u bëjnë thirrje të interesuarve të sigurojnë pjesëmarrjen sa më herët.
“Prishtina Padel Open 2026” pritet të sjellë emocione, rivalitet sportiv dhe spektakël për të gjithë adhuruesit e padelit, duke konfirmuar edhe një herë Prishtinën si një nga qendrat kryesore të këtij sporti në rajon.